Tri talente kosovarë marrin pasaportat

Oct 13, 2011 | 13:15

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka aprovuar dje dhënien e shtetësisë për tre futbollistë të talentuar shqiptarë. Bëhet fjalë për lojtarët e rinj Fatlum Ramadani, Lorik Aliu, Astrit Bunjaku. Lajmi është bërë i ditur të enjten nga zyrtarë të FSHF-së. Ramadani 16-vjeçar dhe Aliu 15-vjeçar, që aktivizohen te klubi Prishtina në Kosovë, kanë lënë përshtypje të mira në kampin e talenteve të mbajtur në Kamzë (3-7 gusht). Kjo dyshe është përzgjedhur nga ndihmësi i parë i Josip Kuzhes, Xhemal Mustedanagiç, që drejton me ekipin U-17 të Shqipërisë. Duke filluar që nga dita e sotme, këta lojtarë do të jenë në dispozicion të përfaqësueses U-17. Ndërkaq, një lajm i mirë edhe për sulmuesin e talentuar të Bazelit, Astrit Bunjakun, i cili gjithashtu do të ketë shanset për të luftuar për një fanellë kuqezi. “Falënderojmë Presidentin Bamir Topi për mbështetjen e madhe që i ka dhënë institucionit të futbollit. Jemi të lumtur që tri talentet tashmë janë pajisur me pasaportë shqiptare dhe do të mbrojnë ngjyrat kuqezi në të ardhmen”, ka thënë zv.sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Besnik Çela.

© Panorama.al

Te lidhura