Marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat iu dorëzuan dje Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, duket sikur po tensionojnë më shumë “marrëdhëniet” mes dy vendeve në konflikt diplomatik.Autoritete serbe akuzojnë autoritete kosovare se po gënjejnë në interpretimin e marrëveshjeve me dashje për të mbrojtur interesat e tyre. Për të dytën herë rresht, kryenegociatori i ekipit serb, Borisllav Stefanoviç, tha se Prishtina në dy ditët e fundit vazhdon “njëanshëm që të ndryshojë realitetin në Kosovë” dhe marrëveshjet të cilat të dyja palët i arritën me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel. “Kjo bëhet për nevojat e brendshme politike të Prishtinës, që të qetësojnë opinionin e vet, për shkak të shumë elementeve negative të marrëveshjes për ta. Në marrëveshjen tonë, absolutisht askund nuk përmendet mundësia që Serbia të ndalojë të kryejë funksionin e vetë në Kosovë dhe as që do ta bëjmë këtë”, tha Stefanoviç për mediat serbe. Ai i ka hedhur poshtë pohimet e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, se deri më 1 nëntor duhet të shpërbëhen strukturat paralele në Kosovë. Stefanoviç komentoi se ministri Rexhepi e njeh shumë mirë është përmbajtjen e marrëveshjes dhe, pavarësisht kësaj, vazhdon të përpiqet “që të ndryshojë realitetin derisa të mos vijë deri tek implementimi i plotë” i marrëveshjes së arritur më 2 korrik në Bruksel. “Qytetarët tanë edhe më tej do të kenë të drejtën për të gjitha dokumentet e Serbisë dhe ne do të vazhdojmë të kryejmë funksionet tona si institucione të Serbisë në Kosovë”, tha Stefanoviç, duke shtuar se Serbia tashmë ka njoftuar BE-në për përpjekjet e Prishtinës që të ndryshojë njëanshëm marrëveshjet dhe se Prishtina është paralajmëruar se kjo është “sjellje e palejueshme”. Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës reagoi ndaj deklaratës së të ashtuquajturit ministër për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç, se institucionet e Republikës së Kosovës po tentojnë që “përmes dokumenteve civile të shqiptarizojnë emrat serbë”. “Ky pretendim është jo racional, i pabazuar në fakte dhe në kundërshtim me praktikën e deritanishme të pajisjes së rreth 30 mijë 500 qytetarëve të komunitetit serb me dokumente civile të Republikës së Kosovës”, thuhet në sqarimin e Ministrisë, e cila ka përmendur më pas fakte dhe emra konkretë. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europiane e Francës e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu edhe zv. presidenti amerikan, Xho Bajden, pas takimit të shkurtër që zhvilloi në Romë më 2 qershor me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjeve të 2 korrikut në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka theksuar nevojën për përparim të mëtejshëm në çështje që sjellin përfitime praktike për qytetarët e të dyja vendeve.
Rexhepi: Dokumentet serbe s’vlejnë
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar se me ligjet e Kosovës, dokumentet biometrike serbe janë ilegale dhe duhet të zëvendësohen me dokumente të Kosovës.











