Tri kategorite: Udhëzimi, pallatet që do marrin hipotekën

Oct 6, 2011 | 10:37

Miratohet vendimi për hipotekimin e 400 pallateve në Tiranë. Dje, në mbledhjen e qeverisë, me anë të një udhëzimi të posaçëm, është vulosur memorandumi i bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Punëve Publike dhe Ministrisë së Drejtësisë. Gazeta zbardh sot tri kategoritë e pallateve që përfitojnë nga akti i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Burime pranë Kryeministrisë bëjnë të ditur për gazetën se varianti i parë i udhëzimit ka pasur ndryshime që prekin thelbin e tij dhe për këtë shkak ai nuk është botuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, ku janë botuar vendimet e tjera.
Përfituesit
Sipas udhëzimit të qeverisë, do të përfitojnë hipotekimin pallatet për të cilat nuk është lëshuar leje shfrytëzimi nga Bashkia. Për këtë rast ka dy lloje problematikash: pallatet kur nuk ka kërkesë për leje shfrytëzimi nga investitori dhe kur edhe pse ka kërkesë, nuk është lëshuar leja e shfrytëzimit për shkak të detyrimeve tatimore ose për shkak të shkeljes së kondicioneve urbane. Kategoria e dytë që përfiton hipotekimin janë pallatet për të cilat është lëshuar leje shfrytëzimi, por nuk është përcjellë për regjistrim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kategoria e tretë janë pallatet për të cilat është lëshuar leje shfrytëzimi, por objekti nuk është regjistruar. Burime zyrtare bëjnë të ditur se udhëzimi rregullon me procedura momentet nga hartimi i aktit të kolaudimit, kërkesa për leje shfrytëzimi deri në regjistrimin e objektit nga ZRPP dhe lëshimin e dokumentit të pronësisë në favor të qytetareve, duke përcaktuar afate dhe detyra për çdo hallkë procedurale për Bashkinë, ZRPP-në apo dhe ALUIZNI-n, kur është rasti. Udhëzimi gjithashtu parashikon edhe mënyrën e regjistrimit sipas rastit në favor të investitorit, pronarëve të truallit dhe subjekteve që kanë lidhur kontrata porosie me investitorin (kryesisht qytetarët që banojnë në apartamentet e pallateve).
Berisha
Kryeministri Berisha theksoi se me këtë vendim, premtimi i zgjedhjeve të 8 majit nga kampi demokrat mori zgjidhje ligjore.
“Me këtë rregullore bëhet e mundur të pajisen me leje shfrytëzimi pallate, ndërtime, që në total, vetëm me detyrimet, çlirojnë një kapital, kontribuojnë me rreth 700-800 milionë euro. Ky është vetëm detyrimi i tyre fiskal i bllokuar për shkak të burokracisë. Po të kemi parasysh efektin kolateral të tyre, leverdia është 10 herë më e madhe”, tha Kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, grupi i punës që ka hartuar këtë udhëzim ka marrë parasysh të gjitha kategoritë e problemeve dhe sipas kategorisë, rregullorja ofron dhe zgjidhjet. “Udhëzimi i jep përgjigje të plotë e përfundimtare çështjes së pallateve dhe shtesave që arrijnë në mbi 400 në kryeqytetin e vendit, por kjo është e vlefshme për të gjitha bashkitë e vendit ku kanë raste analoge, megjithëse ato nuk kanë, pasi kanë vepruar me një përshtatje më të madhe me ligjin sesa Tirana”, tha Berisha.
Në kuadrin e Shqipërisë dixhitale, Berisha paralajmëroi një tjetër nismë për nëpunësit e administratës publike. Sipas tij, të gjithë punonjësit shtetërorë duhet të jenë të pajisur me certifikatën e përdorimit të programeve kompjuterike. Për ata që nuk e disponojnë këtë certifikatë, Berisha theksoi se duhet të bëhen kurse.

Kategoritë që përfitojnë
1.     Pallate për të cilat nuk është lëshuar leje shfrytëzimi nga Bashkia;
a. Kur nuk ka kërkesë për leje shfrytëzimi nga investitori;
b. Kur edhe pse ka kërkesë, nuk është lëshuar leja e shfrytëzimit për shkak të detyrimeve tatimore ose për shkak të shkeljes së kondicioneve urbane.

2.     Pallate për të cilat është lëshuar leje shfrytëzimi, por nuk është përcjellë për regjistrim në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme;

3.     Pallate për të cilat është lëshuar leje shfrytëzimi, por objekti nuk është regjistruar.

800 milione euro
zhbllokohen pas vendimit për hipotekimin e pallateve në Tiranë. Udhëzimi i lëshuar dje vjen pas marrëveshjes së bashkëpunimit mes ministrive të linjës dhe Bashkisë së Tiranës. Ky udhëzim shërben edhe për ndërtimet në të gjithë bashkitë e tjera

400 pallate
Nga akti i miratuar në mbledhjen e kabinetit qeveritar, do të përfitojnë 400 pallate në Tiranë. Grupi i punës që ka hartuar këtë udhëzim ka marrë parasysh të gjitha kategoritë e problemeve dhe sipas kategorisë rregullorja ofron dhe zgjidhjet

Udhëzimi
Sipas udhëzimit të miratuar dje në Këshillin e Ministrave, parashikohen të gjitha procedurat nga hartimi i aktit të kolaudimit deri në regjistrimin e objektit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Gjithashtu, akti parashikon edhe mënyrën e regjistrimit sipas rastit në favor të investitorit.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura