Çmimi “Nobel për Paqen” këtë vit u shkon tri grave. Ellen Johnson Sirleaf, Presidentja e Liberisë, Leymah Gbowee, avokate liberiane dhe Tawakkul Karman, aktiviste nga Jemeni.
“Për luftën e tyre të paqtë në favor të sigurisë së grave dhe të të drejtave të tyre për një pjesëmarrje të plotë e të denjë në procesin e ndërtimit të paqes”, shkruhet në motivacionet e çmimit. Sipas Komitetit të Nobelit, ndër të tjera, çmimi përfaqëson “njohje të fuqizimit të rolit të grave, në veçanti në vende që janë në rrugë e sipër të zhvillimit”.
Por cilat janë këto gra që kanë marrë sot një mirënjohje kaq të rëndësishme? Ellen Johnson Sirleaf është Presidentja aktuale e Liberisë. E diplomuar për ekonomi në Harvard, Sierleaf ka punuar për shumë vite për Bankën Botërore, përpara se të bëhej gruaja e parë presidente e një shteti afrikan. Është 72 vjeç, ka katër fëmijë dhe gjashtë nipër e mbesa. Është duke u përpjekur të çlirojë Liberinë pas 14 vitesh lufte civile.
Me nacionalitet liberian është edhe Leymah Gbowee, aktiviste për paqen që ka organizuar shumë manifestime femërore kundër luftës civile. Manifestime që kanë njohur forma nga më të çuditshmet, me këngë e lutje nëpër tregje peshku, por një ndër iniciativat e saj më të famshme është “greva e seksit”. Gbowee bindi gratë që të hiqnin dorë nga marrëdhëniet seksuale me partnerët e tyre, derisa ajo të pranohej në tryezën e bisedimeve për paqe nga regjimi i Charles Taylor. Dhe kishte pasur të drejtë: në fund burrat lëshuan pé ndaj kërkesës së saj.
Ndërsa gruaja e tretë, Tawakkol Karman, është me prejardhje nga Jemeni. Është vetëm 32 vjeç (por ka edhe tre fëmijë) dhe është themeluesja e shoqatës “Gazetare pa zinxhirë”. Bashkë me koleget e saj, Karman organizon manifestime paqësore kundër regjimit të Presidentit Ali Abdallah Saleh. Është gruaja e parë arabe që ka fituar një çmim “Nobel për paqen”. “Është një çmim për mua, por edhe për të gjitha gratë e Jemenit”, mësohet të jetë shprehur ajo sapo ka mësuar për ndarjen e çmimit.











