Rreth 300 studentë do të kenë mundësi të transferojnë studimet dhe të pranohen në një program të dytë studimi, në ciklin me kohë të plotë. Ministria e Arsimit publikoi dje urdhrin me rishpërndarjen e kuotave sipas degëve në universitete. Mbi bazën e këtyre kuotave do të shpallen fituesit. Këta të fundit duhet t’u drejtohen sekretarive të fakulteteve për të kryer procesin e regjistrimit. Përveç përcaktimit të detyrimeve që duhet të shlyejë studenti, vendimi i transferimit shoqërohet edhe me disa të dhëna të hollësishme, si: dega, kursi, sistemi i studimit, detyrimet e shlyera dhe notat përkatëse, certifikatë e gjendjes civile me fotografi, nëse gëzon të drejtën e bursës ose jo, programet e lëndëve që ka kryer. Studentët që do të transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, do t’i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet.











