Transferimi, burg për babain e Lorik Canës

Oct 27, 2011 | 12:16

Përfundon në mënyrën më të trishtueshme dhe të keqe në Francë  gjyqi i babait të Lorik Canës, Agim Cana. Ai është dënuar përfundimisht nga Gjykata e Apelit “Aix en Provence” me nëntë muaj burg me kusht dhe me një gjobë prej 80 mijë eurosh. Shkak është bërë shuma prej 132 mijë eurosh që ai përvetësoi, në momentin kur djali i tij Loriku kaloi nga Paris SG te Olimpik Marseja. Sipas Gjykatës, Agim Cana ka përfituar pa të drejtë këtë shumë, duke ushtruar i palicencuar profesionin e menaxherit. Pas gjyqit në shkallë të parë në vitin 2007, Agim Cana pat kundërshtuar vendimin duke e çuar në Apel. Asokohe, gjykata pat vendosur një vit burg me kusht dhe 100 mijë euro gjobë. Ndërkohë, po dje, Apeli përveçse për Agim Canën, ka dhënë vendimin edhe për Kristof Mongain, edhe ky i implikuar në transferimin e Lorik Canës. Për këtë gjykata ka vendosur përfundimisht një dënim prej 6 muajsh burg me kusht dhe 40 mijë euro gjobë. Me t’u njohur me vendimin, familjarët e familjes Cana kanë reaguar menjëherë, duke e konsideruar si racist dhe të pabazuar në fakte. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Agim Cana ka theksuar se Gjykata franceze ka treguar edhe një herë racizmin kundrejt të huajve, duke mos  dhënë jo vetëm drejtësi, por për më tepër duke hedhur baltë mbi imazhin e familjes Cana.

Çfarë është burgu me kusht
Faktikisht, Agim Cana nuk do të shkojë në burg. Vendimi për nëntë muaj pas hekurave por me kusht, presupozon që në rast se Agim Cana do të kryejë gjatë jetës së tij edhe një tjetër shkelje të këtij tipi, atëherë ai do të detyrohet të kryejë jo vetëm dënimin që mund t’i jepet si përsëritës, por edhe 9 muajt e vendosura dje nga Apeli. Në të kundërt, nëse nuk bën asnjë shkelje gjatë gjithë jetës së tij, atëherë Agim Cana thjesht do jetë i detyruar të paguajë gjobën prej 80 mijë eurosh, së cilës nuk i shpëton në asnjë rast.

© Panorama.al

Te lidhura