Spanja do të paguajë 20 milionë euro kompensim për viktimat e aksidentit të trenit me shpejtësi të lartë javën e kaluar, ku humbën jetën 45 persona dhe u plagosën më shumë se 150 të tjerë, tha të hënën Ministri i Transportit, Oscar Puente.
Vendi është ende duke u rikuperuar nga katastrofa e 18 janarit, pranë qytetit jugor të Kordobës (Adamuz, Andaluzia), që çoi në një nga numrat më të lartë të vdekjeve nga trenat në historinë e kohëve të fundit evropiane dhe më të lartin në Spanjë që nga viti 2013.
Familjet e të vrarëve do të marrin secila nga 216,000 euro brenda një maksimumi prej tre muajsh, 72,000 euro lehtësim tatimor nga qeveria dhe një pagesë paraprake sigurimi prej 72,000 eurosh. 72,000 të tjera do të paguhen nga sigurimi i detyrueshëm i udhëtimit të pasagjerëve.
“E dimë që procedurat normale dhe afatet ligjore nuk i përmbushin gjithmonë urgjencat jetësore të një tragjedie si kjo”, tha Puente, duke shtuar se viktimat nuk mund të përballojnë të presin me vite për të marrë mbështetje.
Sipas Puentes, pagesat për të lënduarit do të variojnë nga 2,400 deri në 84,000 euro.
Ministri është nën presion publik pas aksidentit në Adamuz dhe incidenteve të tjera në të njëjtën javë, përfshirë vdekjen e një makinisti treni në Katalonjë dhe dy aksidente të tjera pa viktima.
Partia Popullore, partia kryesore opozitare, ka kërkuar dorëheqjen e tij.
I pyetur për të ardhmen e tij, Puente u tha gazetarëve se ka ndërgjegje të pastër, po bën punën e tij sa më mirë që të jetë e mundur dhe po bën çmos për t’u komunikuar qytetarëve të gjithë informacionin e disponueshëm.
© Panorama.al












