NGA IRENA BEQIRAJ
“Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht
Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare”.
Këtë pasazh e lexova në statusin e një mikut tim deputet socialist të cilit i shkrova- “mblidhi mend se jeni bërë për t’u lidhur !” Kam një lloj ligështie ndaj çdo do ligësie sidomos kur prej pamundësisë ajo përdoret për t’iu arratisur thelbit, ndaj po i ve gjuhës fre këtë herë por, po marr mundimin t’i shpjegojë mikut tim edhe çdo burri apo gruaje në atë organizatë të gangrenizuar nga paaftësia edhe ligësia, se çfarë duan sorrat dhe korbat, që nuk mund ta ofrojnë grabitqarët socialistë?
Duan çmimet e ushqimeve në Shqipëri të mos jenë 3.8% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian, në një kohë që të ardhurat janë sa 41% e mesatares së BE-së!
Duan që çmimet e larta të ushqimeve të mos u ‘rrëmbejnë’ 39.6% të buxhetit të familjeve shqiptare, ose gati 3 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Duan që kequshqyerja në Shqipëri të mos jetë më e larta në Europë për më tepër të mos jetë në rritje .
Nga të dhënat e FAO-s “sorrat edhe korbat” kanë mësuar që në fillim të qeverisjes së grabitqarëve socialiste 2014–2016, prevalenca e kequshqyerjes ishte 4.5%. Pas viteve 2019–2020 prevalenca e kequshqyerjes arrin në 5.4% për vitet 2020–2021 u rritur më tej në 5.8% duke shënuar një kulm të ri në 6.2% në periudhën 2021–2023.
Duan që 19.2 % e shqiptarëve (ose 1 në 5 shqiptar ) të mos jetojnë në kufirin absolut të varfërisë ose me një të ardhur mesatare mujore nën 27,028 lekë për një individ . Duan që , 40.5% e popullsisë ( gati 1 në 2 shqiptarë ) të mos jetojë nën kufirin relativ ose në rrezik varfërie apo përjashtimi social, sepse dreqi e morri këto shifra janë më e lartat në Europë.
Por nuk ka shqiptarë që nuk e di se pse ju “kuç e me maç” jeni vënë në mbrojtje të një koncerti privat . Ekonomia e konsumit që keni ndërtuar nuk mund të mbijetojë pa koncerte, pa kazino, pa paranë e pisët. Vizioni socialist i ekonomisë së bazuar në konsum ose “bukës edhe cirkut” ku dominon shitja me pakicë, mikpritja, argëtimi , ku importohet thuajse çdo gjë edhe prodhohet asgjë; ku varësia nga zinxhirët globalë të furnizimit është e dukshme , ku mungesa e elasticitetit rrit ndjeshmërinë ndaj inflacionit, rritjes së normave të interesit dhe sentimentit së konsumatorit ka nevojë për nxitjen e kërkesës ka nevojë për koncerte , ka nevojë për cirk, ndaj zabrahanisni ku të mundni në kurriz të taksapaguesve.
Por edhe pse halli juaj është i dukshëm , dhe diareja juaj orale irrituese , ky koncert edhe njëmijë të tjerë nuk e ndryshojnë dot faktin që në jetojmë në një vend me mundësi të pabarabarta në arsim dhe shëndetësi, vende pune me paga të ulëta dhe produktivitet të ulët, tregje që nuk funksionojnë siç duhet, edhe korrupsion.
Në këto rreshta të gjitha shifrat janë zyrtare , ndaj sido që t’i quani ata që kërkojnë një qeverisje më të mirë, kjo nuk e zbeh faktin që ju keni ndërtuar një ekonomi grabitqare. Ju të gjithë pa më të voglin përjashtim keni kohë që dini se jeni bërë për t’u lidhur , por ju nuk e prisnit reagimin, ndaj keni lëshuar gjuhën !
© Panorama.al












