Tragjedia në lumin Tisa, 2 të arrestuar në Tiranë

Oct 10, 2011 | 11:17

Dy persona të arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, në shtator të këtij viti, dyshohet se kanë lidhje me grupin kriminal që trafikoi viktimat e tragjedisë së ndodhur në lumin Tisa në vitin 2009. Avni Tahiraj dhe Vesel Hasani akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafikim të qenieve njerëzore. Ata ranë në pranga më 26 shtator 2011, pas një hetimi disamujor ndaj tyre për raste të tjera trafikimi që fillonin nga Shqipëria. Konkretisht, sipas Prokurorisë, dy të dyshuarit akuzohen se kanë kryer trafikimin e shtetasve nga Shqipëria në drejtim të Kosovës dhe më tej për në Hungari, Slloveni, Itali dhe Austri. Destinacioni final i këtyre klandestinëve mësohet se ka qenë Gjermania dhe Zvicra. Pas hetimeve dhe zbardhjes së aktivitetit e kontakteve të dy të arrestuarve mësohet se ata janë të dyshuar si pjesë furnizuese e grupit kriminal kosovar që trafikoi viktimat e tragjedisë së ndodhur në lumin Tisa rreth dy vjet më parë. Në këtë ngjarje të rëndë mbetën të vdekur 18 shtetas shqiptarë nga Kosova, të cilët ishin nisur për emigrim në Zvicër e Gjermani, por u mbytën në lumin që ndodhet në Hungari. Nga autoritetet është bërë e ditur se Policia hungareze arrestoi 15 persona përgjegjës për rastin e trafikimit të viktimave në lumin Tisa, ndërsa pesë persona u arrestuan në Serbi me urdhër arresti të lëshuar nga EULEX. Edhe 11 persona të implikuar në trafikim ranë në pranga në Kosovë, ku shtatë nga organizatorët ishin nga Podujeva dhe 4 nga Prishtina. Burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë thënë se dy shtetasit e arrestuar në Tiranë, Avni Tahiraj dhe Vesel Hasani, akuzohen se kanë kryer veprimtari të trafikimit të njerëzve nga Shqipëria deri në fund të vitit 2010, kur hyri në fuqi regjimi i liberalizuar i vizave me zonën Shengen. Sipas hetimeve të Prokurorisë, trafikantët merrnin 3500 euro për person, duke premtuar kalimin e tyre nga vendet e Ballkanit në drejtim të BE-së, kryesisht në Gjermani dhe në Zvicër. Dy shqiptarët e arrestuar nga Krimet e Rënda në Tiranë, janë shpallur në kërkim më 24 shtator nga gjykata, ndërsa janë arrestuar dy ditë më pas. Ndalimi i shtetasit Avni Tahiraj u realizua në afërsi të rrugës “Jordan Misja”, ndërsa shtetasi Vesel Hasani u kap pranë një hoteli në Vorë. Ata janë akuzuar për veprat penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” në bashkëpunim, si dhe “Grupit të strukturuar kriminal”.                     tr.so

Të akuzuar
Avni Ismail Tahiraj,
51 vjeç, banues në Tiranë

Vesel Idriz Hasani,
54 vjeç, banues në Tiranë.

Akuzat:

– “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” në bashkëpunim

– “Grup i strukturuar kriminal”

© Panorama.al

Te lidhura