Tragjedia, mjetet në lundrim s’dhanë asnjë sinjal alarmi

Oct 22, 2011 | 13:29
Anija “Reina 1”, e fundosur dje në Adriatik

Dështon dita e dytë e kërkimeve në Adriatik për 8 marinarët turq. Ata dyshohet të jenë fundosur bashkë me anijen tregtare në thellësitë e detit. Për zbardhjen e ngjarjes, trageti “Ankara” i linjës Durrës-Bari është bllokuar në portin italian, deri në sqarimin e rrethanave të plota. Aty është marrë në pyetje dhe kapiteni turk i tragetit, Atila Gusur, dëshmia e plotë e të cilit nuk dihet ende. Paraprakisht, fundosja dhe incidenti mendohet se nuk ka të bëjë me motive të qëllimshme, megjithatë, mbetet shumë e paqartë se si ekuipazhet respektive të tragetit dhe të anijes nuk kanë mundur të shmangin përplasjen fatale. Ekspertët mendojnë se ekuipazhet nuk kanë qenë në rolet e tyre bazë dhe se ata janë vënë në lëvizje vetëm pas përplasjes. Kapiteni i Portit të Durrësit, Hysni Aruçi, deklaroi dje se anijet e përfshira në aksidentin e së enjtes nuk lëshuan sinjal alarmi dhe se kapiteni i tragetit ka kërkuar ndihmë pas ngjarjes në mes të detit. Të gjitha këto fakte do të jenë pjesë e dosjes së hetimit nga ekspertët ndërkombëtarë. Ndërkohë, vëmendja kryesore e autoriteteve shqiptare dhe të huajve është përqendruar te kërkimet, me qëllim gjetjen e trupave të tetë marinarëve të zhdukur prej mëngjesit të së enjtes. Specialistët kanë dalë në konkluzionin se ekuipazhi i anijes “Reina 1” është zhytur së bashku me të në thellësinë e “Adriatikut” dhe sipas tyre janë të zbehta shanset që të ketë të mbijetuar të tjerë, përveç kapitenit të anijes “Reina 1”, Ahmet Soytur, 38 vjeç dhe oficerit të parë ndihmësi tij, Ahmet Bal, 53 vjeç. Që prej ditës së djeshme, në kërkime është përfshirë edhe një anije e fuqishme ushtarake e flotës turke “Barbaros”, e cila së bashku me anijen “Iliria” po kontrollon me imtësi territorin në koordinatat ku u mbyt anija tregtare. Edhe gjatë ditës së djeshme në kërkime janë përfshirë ushtria, Policia Kufitare, Shtabi i Emergjencës dhe Guardia di Finanza. Kërkime po bëhen edhe nga ajri, ku në dispozicion janë vënë dy helikopterë, të cilët po patrullojnë në hapësirën përreth zonës ku ndodhi përplasja mes tragetit të pasagjerëve dhe anijes së transportit të mallrave. Shpresat janë tek anija turke “Barbaros”, e specializuar në raste mbytjesh dhe që kryen operacione kërkim-shpëtimi dhe investigimi. Ekuipazhi i saj përbëhet nga marinarë të kualifikuar. Në mesin e tyre ka edhe zhytës shumë të zotë të cilët shfrytëzohen në rastet e emergjencave detare dhe kryesisht në zhytjen drejt thellësive të mëdha. Marina ushtarake turke shpreson se ekuipazhi i anijes “Barbaros” do të mund të kryejë me sukses misionin e nisur. Megjithatë, pak shpresa ka për të nxjerrë në sipërfaqe trupat e ekuipazhit të anijes “Reina 1”. Vendi ku ndodhi përplasja fatale është zonë me pështjellime të mëdha detare. Rrymat që vijnë nga Otranto janë shumë të fuqishme dhe favorizohen nga stuhitë detare që janë karakteristikë e kësaj periudhe. Autoritetet e Kapitanerisë së Përgjithshme të Porteve Shqiptare kanë bërë të qartë se kërkimet do të vijojnë. Nuk është folur për data të përcaktuara, por mendohet se edhe për 24 orët e ardhshme, gatishmëria dhe operacionet do të qëndrojnë në shkallën më të lartë.

Ambasadori Turk
Ambasadori turk në Tiranë, Hasan S. Asan, vizitoi dje në spitalin e Durrësit dy të mbijetuarit e tragjedisë e më pas zhvilloi takim me prefektin, Genci Alizoti. Diplomati turk falënderoi qeverinë shqiptare për gatishmërinë e treguar. Ai tha se nuk ka nisur asnjë procedim për momentin nga shteti turk. “Është pala shqiptare që ka nisur hetimet për llogari të saj, meqë ka ndodhur në afërsi të ujërave shqiptare. Paralel me të po heton dhe pala italiane, ndërsa dosjet përkatëse do t’u kalojnë autoriteteve të interesuara në momentin e duhur, që çdo shtet të marrë përgjegjësinë që ka për incidentin”.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura