Tragjedia në det, minutat e fundit para përplasjes

Oct 21, 2011 | 12:05
Anija “Reina 1”, e fundosur dje në Adriatik

Tragjedia e marinarëve turq në ujërat e Adriatikut u paralajmërua pak minuta para se të ndodhte përplasja. Zbardhja e komunikimit të fundit mes kapitenit të tragetit “Ankara” që udhëtonte në linjës Durrës-Bari, Kapitanerisë së portit, si dhe anijes “Reina 1”, ka hedhur dritë mbi momentet e përplasjes fatale. Tetë marinarë rezultojnë të zhdukur në det dhe vetëm dy drejtuesit e anijes tregtare u nxorën të gjallë në breg. Rastësia e hidhur ishte se edhe kapiteni i tragetit me 196 shqiptarë në bord ishte shtetas turk, ashtu si dhe viktimat e “ndeshjes” në mes të detit.Rreth orës 23:00 të së mërkurës, trageti “Ankara”, i cili kryente prej pak muajsh linjën Durrës-Bari, me 196 udhëtarë, ka lënë terminalin e trageteve për të lundruar në drejtim të portit italian. Rreth 120 minuta pasi ka vijuar lundrimin, në kohën që trageti ka hyrë në zonën e ujërave ndërkombëtare, (mbi 20 milje nga bregu) është përballur me situatën e vështirë. Kapiteni Atila Gusur, ka vërejtur se në të njëjtin kurs vijonte të lundronte edhe një tjetër mjet, i cili siç u mësua më vonë, ishte nisur me ngarkesë drithërash nga Rusia për në Malin e Zi. Kjo i ka shërbyer atij për të rritur shkallën e vigjilencës si dhe të vërë në gatishmëri ekuipazhin. Kapiteni Gusur nuk e ka pasur shumë të vështirë të identifikojë mjetin tjetër që ka qenë një anije transporti mallrash me ekuipazh turk dhe flamur maltez. Ai ka njoftuar kapitanerinë që ta vinte në dijeni për frekuencat e anijes. Pasi ka arritur të lidhet me kapitenin e anijes “Reina 1”, i është komunikuar se kishte ngatërruar kursin dhe duhej patjetër ta ndryshonte atë se mund të përplaseshin. Kjo nuk ka ndodhur. Nuk dihet ende nëse nuk ka funksionuar sistemi i drejtimit apo për shkak të dallgëve nuk është arritur të bëhet manovrimi në kohë. Rreth orës 01:10, ka ndodhur goditja e parë e më pas e

Trageti i linjës Durrës-Bari, me të cilin u përplas anija e mallrave

dyta, duke shkaktuar fundosjen e anijes. Me shpejtësi trageti ka hedhur në det bovat e veta, të cilat shërbejnë për të ndihmuar të rrezikuarit nga mbytja, por nga 10 anëtarët e ekuipazhit, vetëm dy prej tyre kanë shpëtuar. Kapiteni Ahmet Soyturk, 38 vjeç dhe ndihmësi i tij, Ahmet Bal, 53 vjeç, u arritën të shpëtoheshin nga ekuipazhi i tragetit “Ankara”. Për tetë anëtarët e tjerë të ekuipazhit të anijes 34 mijëtonëshe nuk ka asnjë shenjë. Ata rezultojnë të zhdukur dhe ka pak gjasa që ndokush prej tyre të ketë mbijetuar. Nga dëshmitë e marra rezulton se gjysma e tyre ishin në gjumë dhe nuk kanë pasur mundësi të reagojnë në kohë. Me të dhënë alarmin SOS, në drejtim të vendngjarjes shkoi fillimisht një skaf, i cili bëri transportin e të mbijetuarve. Më pas, alarmi përfshiu të gjithë autoritetet. Nga Porti i Durrësit e më pas dhe nga Italia, u nisën mjete të shpejta, me qëllim shpëtimin e personave që ndodheshin në bordin e anijes së mallrave. Deri në orët e vona ka vazhduar operacioni, por nuk u arrit në asnjë shenjë të marinarëve të mbytur. Një sinjal u dha pasdite për gjetjen e dy trupave të pajetë, por nga verifikimi rezultoi se ishin vetëm dy jelekë shpëtimi, të cilët nuk arritën të visheshin nga të zhdukurit nën ujë. Në vendin ku ndodhi përplasja ka qëndruar trageti i linjës, bashkë me 196 pasagjerët e tij. Udhëtarët kanë dhënë alarmin, madje është krijuar panik brenda tragetit. Vetëm pas 16 orësh u lejua vazhdimi i lundrimit drejt Portit të Barit.

Kërkimet
Alarmi SOS është dhënë në mënyrë respektive në Portin e Durrësit dhe në atë të porteve italiane. Kjo ka bërë që në det të nisë një operacion kërkimi e shpëtimi me anë të motovetave të marinës ushtarake shqiptare e italiane, si dhe me 3 helikopterë. Moti ka qenë relativisht i qetë, duke u dhënë mundësi mjeteve në det e në ajër të investigojnë zonën në të cilën ndodhi incidenti detar. Grupet e kërkimit e të shpëtimit kanë mundur të vendosin kontaktet e para me ekuipazhet në det rreth 2 orë pas incidentit. Rreth orës 03:00 të së enjtes, anija ishte fundosur pa mbërritur ende ekipi i shpëtimit. Pritet që sot të mbërrijë një anije turke e specializuar për kërkime në det. Në orët e vona të mbrëmjes, për shkak të errësirës, kërkimet u ndërprenë, pa asnjë rezultat.

Trageti
Trageti “Ankara” që po kryente linjën e transportit nga Porti i Durrësit drejt Barit në Itali, e kishte kryer dhe më parë këtë udhëtim. Ai ishte siguruar në Ankara dhe po shfrytëzohej për këtë linjë nga pronarët e një trageti tjetër, i cili ishte në riparim. Ky mjet qëndroi në mes të Adriatikut për rreth 16 orë, për t’u lejuar të niset pas sqarimit të rrethanave të parë për ngjarjen e rëndë.

Kapiteni i anijes: Trageti na goditi në mes

Kapiteni i anijes, Ahmet Soytur

Të mbijetuarit e përplasjes tragjike janë dërguar menjëherë pas ngjarjes në spitalin e Durrësit, ku ndodhen jashtë rreziku për jetën, por në gjendje të tronditur prej humbjes së shokëve të tyre. Kapiteni i anijes, Ahmet Soytur, 38 vjeç, tregon për gazetën se anija “Reina 1” po lundronte në ujëra neutrale. “Deti nuk ishte i qetë, por ne jemi të përgatitur për të tilla ditë. Rreth mesnatës, ekuipazhi po flinte gjumë, ndërsa unë vijoja të ndiqja lundrimin, së bashku me ndihmësin dhe dy marinarë. Di që kam marrë një sinjal në distancë, në të cilin më është bërë e ditur se diçka nuk shkon në lundrim. Papritur na u kërkua ndryshim kursi. Thirrja vinte nga trageti i cili po lundronte drejt Barit. Mësova në pak minuta se trageti po vinte drejt nesh. Nuk e kisha menduar se ngjarjet do të rrokulliseshin aq shpejt”. Kapiteni thotë se nuk mban mend se çfarë ka ngjarë në ato momente, pasi gjithçka ka precipituar shumë shpejt. “Anija jonë është goditur në mes nga trageti. Nuk zgjati shumë dhe anija u fundos. Ishim në zonën e kabinës dhe presioni na nxori lart në mënyrë të pavullnetshme. Pas goditjes nuk kam komunikuar me asnjë anëtar të ekuipazhit tim”. Vetë 38-vjeçari tregon se rruga kishte qenë e lodhshme, pasi po lundronin pa ndalim prej dy ditësh. Sipas tij, ndihmëskapitani ka nxituar të lajmërojë ekuipazhin, por goditja ishte e fortë dhe nuk pati më kohë për të dhënë alarmin e fundosjes. l.m

Grup ndërkombëtar për hetimin e përplasjes
Përplasja e djeshme mes tragetit të pasagjerëve dhe anijes së mallrave do të hetohet nga një grup ndërkombëtar hetimi. Mësohet se një skuadër hetuesish nga Malta do të mbërrijë në Shqipëri për të asistuar hetimet që do të kryhen për fundosjen e “Reina 1”. Por edhe nga Turqia është nisur një ekip hetimi për të zbardhur gjithçka ka ndodhur në ujërat e Adriatikut. “Në bazë të legjislacionit ndërkombëtar detar, përgjegjësia e hetimit të këtij incidenti i takon palëve të regjistrit, duke qenë se trageti është në regjistër turk i takon Turqisë dhe anija tjetër është në regjistër maltez, i takon Maltës. Ne do të vëmë në dispozicion gjithçka për të hetuar këtë incident”, deklaroi dje ministri i Transporteve. Dy të mbijetuarit janë marrë në pyetje nga ana e Policisë Kufitare, ashtu siç është bërë dhe me kapitenin e tragetit. Ata do të jenë në dispozicion të hetuesve. Deri tani nuk ka deklarime nëse palët kanë respektuar apo jo Kodin Detar të lundrimit. Nga deklarimet e marra rezulton se në momentin kur kapiteni i tragetit ka lajmëruar Kapitanerinë e Durrësit për të saktësuar nga anija koordinatat, drejtuesi i “Reina 1” nuk ka mundur t’i japë. Nëse bëhet fjalë për një gabim njerëzor apo për faktorë të tjerë, pritet që përgjigjen e fundit ta japin ekspertët ndërkombëtarë.

Olldashi: Ngjarja, pasojë e një gabimi njerëzor
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, deklaroi dje në Parlament, pak orë pas incidentit në ujërat neutrale të Adriatikut, se gjithçka ndodhi brenda 8 minutash. “Nga ajo që është verifikuar nga autoritetet tona nuk ka pasur devijim të rrugës të dy anijeve, ato kanë ecur në trajektore deri në momentin e përplasjes, gjë që të bën të mendosh që mund të ketë qenë një gabim fatal njerëzor që e ka shkaktuar. Gjithsesi, kjo nuk është përfundimtare, përfundimtare do të jetë ajo që do të dalë nga kutia e zezë e tragetit”.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura