Trafikuan drogë Lazarati, kapen në Janinë dy grekë

May 17, 2012 | 14:48
Droga e bllokuar në Janinë

Dy grekë arrestohen duke trafikuar drogë Lazarati, arratiset bashkëpunëtori shqiptar. Rreth 118 kg marijuanë është sasia që është kaluar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës nga Gjirokastra në zonën e veriut të Janinës, duke shënuar rastin e dhjetë të trafikut narkotik në 5 ditët e fundit. Rasti i djeshëm implikoi dy shtetas grek dhe një të ri shqiptar, i cili në përfundim mundi t’i shpëtonte kapjes nga Policia e vendit fqinj. Burimet zyrtare policore greke kanë konfirmuar se sasia prej 118 kg marijuanë ishte tërhequr nga fshati Lazarat mbrëmjen e të martës dhe është kaluar në kufirin greko-shqiptar mëngjesin e të mërkurës. Të implikuar në këtë trafik kanë qenë dy shtetas grekë, Dhimos K. 57 dhe Ilias N., 52-vjeçar, të cilët ishin ura lidhëse mes marijuanës së ardhur në Greqi nga kufiri i gjelbër dhe transportit për në Athinë. Një 30-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk dihet, pasi i ka shpëtuar në fund Policisë greke, mendohet se ka siguruar marijuanën në Lazarat duke e blerë mallin narkotik kundrejt 100 mijë eurove. Blerësi kishte siguruar tregun e shitjes së marijuanës në Athinë përmes një linje sekrete policore, ku do të përfshihej edhe një drejtues i një mjeti policor në zonën e Artës. Kjo dëshmi është zbuluar pas rrëfimit të njërit prej grekëve të arrestuar mëngjesin e djeshëm, në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë. Marijuana për Policinë e Janinës është kaluar mëngjesin e së mërkurës nëpërmjet kufirit të gjelbër mes dy vendeve dhe kontributin më të madh e pati dhënë 30-vjeçari shqiptar. Policia greke e Delvinaqit mbante nën vëzhgim të plotë mjetin që transportonte marijuanën nga kufiri për në brendësi të territorit helen dhe menjëherë i është bërë shenjë të ndalonte në një kthesë të padukshme. Të ndodhur në panik, mjeti me targa greke i drejtuar nga 30-vjeçari shqiptar ka shtuar shpejtësinë, me qëllim shmangien e kapjes nga forcat policore. Shqiptari u gjend edhe nën presionin e vazhdueshëm të dy bashkëpunëtorëve të tij grekë në këtë trafik, Dhimos K. dhe Ilias N., përkatësisht 57 dhe 52 vjeç të dy nga qyteti i Janinës dhe, për këtë, ndaloi rrugëtimin e mëtejshëm të tij në drejtim të Janinës e mandej drejt Athinës. Shqiptari 30-vjeçar është shpallur në kërkim dhe për këtë Policia e Delvinaqit po punon intensivisht për kapjen e tij.

Droga
Prej janarit dhe deri në aksionin e djeshëm, Policia greke ka kapur më tepër se 1.2 tonë hashash nga Lazarati që ka mbërritur në Greqi. Rrugët e trafikut të drogës kanë qenë të ndryshme, jo vetëm në rrugë ilegale, por disa herë, siç ishte rasti i djeshëm, lënda narkotike është transportuar nëpërmjet kufirit të ligjshëm në Kakavijë.

Dyshimet për shoferin e policisë
Sipas dëshmive, të dy shtetasve grekë të kapur nga Policia e Delvinaqit, marijuana që ata e kishin marrë në dorëzim në kufi, do të çohej drejt Athinës, me ndihmën e një shoferi të Policisë së Janinës, por detajet ngelen të errëta për momentin. Sasia totale e marijuanës së kapur ishte 118 kg dhe, ndryshe nga sasitë e tjera të kapura më parë, ishte e mirëpresuar.

JANINE/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura