
Policia e Gjirokastrës arreston dy balerinë tiranas për drogën e gjetur në autobusin që udhëtonte drejt kryeqytetit. Ata kishin blerë 30 kg marijuanë në Lazarat për një shumë prej 15 mijë eurosh, sasi që u zbulua mbrëmjen e së hënës në linjën Gjirokastër-Tiranë. Zbardhet në këtë mënyrë mekanizmi që kishin përdorur dy artistët e rinj kryeqytetas për transportin e marijuanës në drejtim të Tiranës. Të dielën në darkë, dy balerinët trafikantë të mallit narkotik Nertil Xhani, 25 vjeç dhe Almenda Hoxha, 22 vjeçe, kanë qenë në fshatin Lazarat, ku tërhoqën lëndën narkotike, kundrejt 15 mijë eurove. Sipas dëshmive që kanë përcjellë në prani edhe të avokatëve të tyre, dy të rinjtë kanë mohuar kategorikisht të kenë qenë në dijeni për drogën e gjendur në valixhet e tyre. Në këtë “llogore” mbrojtjeje kanë qëndruar balerinët të paktën deri në orët e mesditës të së martës, ku u zhvillua edhe seanca fillestare pyetësore në organin e akuzës. “Gjithçka ka qenë rastësore”, janë shprehur ata, duke mohuar kategorikisht edhe vendndodhjen e tyre në Lazarat. Mirëpo, sipas burimeve policore lokale, marijuana e gjendur në 44 pako të mbështjella me letër ngjitëse transparente, e kishte origjinën e vet nga ky fshat dhe kanë qenë pikërisht balerinët, ata që patën bërë pazar me një lazaratas, për tërheqjen e mallit narkotik kundrejt eurove. Marijuana e presuar ishte futur në dy valixhet me rrota të transportit, të cilat kanë qenë pronë e dy të rinjve. Gjithçka është dekonspiruar nga sektori kundër narkotikëve në Policinë Rajonale të Gjirokastrës, i cili arriti të arrestonte mbrëmjen e të hënës, rreth orës 19:00, dy të rinjtë kryeqytetas. Këta të fundit kanë përdorur linjën e autobusit të linjës për në kryeqytet, për të mos rënë në sy nga ana e kontrolleve policore gjatë rrugës. Patrulla policore ishte vënë në ndjekje të autobusit ku gjendej droga së bashku me transportuesit e saj dhe në ish-Agjencinë e Udhëtarëve të Luftinjës, rreth 3 km larg qytetit të Memaliajt, ndaloi rrugëtimin e mëtejshëm të mjetit. Marijuana u gjend në valixhet që i përkisnin Xhanit dhe Hoxhës dhe, sipas Policisë, e gjithë sasia narkotike ishte e destinuar të shitej me sasi minimale në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, si dhe në Liceun Artistik të Tiranës “Jordan Misja”. Pas sekuestros së lëndës, dy koreografët janë arrestuar për veprën penale të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike. GJIROKASTER/ PIRO NASE
Shkodër, dy vëllezër arrestohen me 24 kg drogë
SHKODER – U gjendet drogë në pronën e tyre, kapen dy vëllezër. Policia e Shkodrës njoftoi se mbrëmjen e së hënës u arrestuan në flagrancë Petrit dhe Aleks Frroku, 30 dhe 23 vjeç, në shtëpinë e të cilëve, në fshatin Bonjet të Vaut të Dejës, u gjetën 24 kg lëndë narkotike, marijuanë. Sipas Policisë, droga u gjet e futur në disa thasë, në stallën e bagëtive, pranë banesës së tyre. Po në këto ambiente u gjet një rrotë fitili zjarrpërcjellës, si dhe 6 kapsolla detonatore.
Vrasja në Gjykatë, lirohet ish-kreu i PD
LEZHE- Burg pa afat për dy autorët e krimit në Gjykatën e Lezhës, ndërsa për ish-kreun e PD-së, Mëhill Ndreu, u vendos detyrim paraqitjeje. Prokuroria kërkoi burg për Alban Dedën dhe Sokol Sejdinë, të cilët u përfshinë në një konflikt të armatosur pak ditë më parë në ambientet e Gjykatës së Lezhës. “Për personin nën hetim, Mhill Ndreu, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të kundërshtimit të punonjësit të rendit, është caktuar masa e sigurimit detyrim për paraqitje, ndërsa për personat nën hetim, Alban Deda, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake, si dhe Sokol Sejdia, është caktuar masa arrest në burg”, thuhej në komunikatën e Gjykatës. Autori i vrasjes, Alban Deda, ndodhej në gjykatë bashkë me të atin dhe xhaxhain e tij, pasi kishin hapur proces ndaj Mëhill Ndreut, duke e akuzuar atë se kishte ndërtuar në pronën e tyre një lokal. r.n
SHKODER-LUSHNJE: Depresioni, dy të vetëvarur
SHKODER- LUSHNJE- Dje, dy viktima nga vetëflijimi, në Shkodër dhe në Lushnjë. Sipas njoftimit të Policisë së Shkodrës, një 41- vjeçare i ka dhënë fund jetës së saj duke u vetëvarur në banesë me kollaren e bashkëshortit. Të afërmit e viktimës i kanë deklaruar grupit të hetimeve se prej kohësh ajo vuante nga çrregullimet mendore. Ngjarja ndodhi në fshatin Vukël, komuna Kelmend në Malësinë e Madhe, brenda në banesën e saj kur familjarët gjetën të vetëvaruar shtetasen Rudina Bracaj. Ndërkaq, një 68-vjeçar nga fshati Lumth i komunës Rremas në Lushnjë është gjetur i vetëvarur pranë banesës së tij. Policia bëri të ditur se shtetasi Kostandin Pina është gjetur i vetëvarur në kasollen e bagëtive nga fqinjët e tij. Të afërmit kanë pohuar se viktima kishte rreth 2 vjet që kurohej nga depresioni. r.d/m.r











