Trafiku i drogës, Altin Kore ekstradohet në SHBA

Nov 4, 2011 | 9:07
Altin Kore

TIRANE- Pas vendimit te prere te Apelit, sot eshte ekstraduar drejt SHBA-ve, Altin Kore, arrestuar per llogari te drejtesise amerikane, nene akuzen e trafikut te narkotikeve.

Kore, 39 vjeç, u arrestua në Aeroportin e Rinasit në qershor të këtij viti, për llogari të Drejtësisë amerikanë, sipas të cilës ai akuzohej për “trafik të narkotikeve” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Gjykata e Apelit shqyrtoi pak kohe me pare ankimin e Kores kundër vendimit të 23 shtatorit të Gjykatës së Tiranës. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, Apeli vendosi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë, sipas të cilit Kore duhet të ekstradohet drejt SHBA-ve. Vendimi Apelit i jep formë të prerë vendimit të mëparshëm, qe do te thoshte ekstradimin e tij.

Emri i tij ishte radhitur në listën e personave në kërkim të Interpol Uashington, më 3 mars të vitit 2011. Shpallja e tij në kërkim kishte ardhur pas një urdhër-arresti të lëshuar ndaj tij nga Gjykata e Teksasit, SHBA, më 14 gusht të vitit 2008, pasi akuzohej për “trafik të lëndëve narkotike” dhe “mbajtje pa leje të armëve”.

Pas arrestimit, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 60 ditë ndaj tij, afat i cili u shtua edhe me një muaj, nëpërmjet një vendimi të dytë. “Midis periudhës janar 2007 dhe 14 gusht 2008, në Distriktet Lindore dhe Veriore të Teksasit, Altin Kore ishte anëtar i një organizate drogë, që shpërndante sasi kokaine me shumë kilogramë.

Kore ishte një prej drejtuesve të organizatës që lehtësonte marrjen e kokainës dhe drejtimin e të tjerëve për ta transportuar dhe shpërndarë atë”, thuhej në vendimin e Shkallës së Parë, që caktoi “arrest me burg” ndaj Kores. Në të njëjtin vendim, referuar dosjes amerikane ndaj Kores, pohohej se Kore kishte trafikuar lëndë narkotike edhe në Itali e Shqipëri dhe së në total, ai është përgjegjës për trafikimin e 20 deri në 25 kg kokainë.

 

 

© Panorama.al

Te lidhura