Policia greke ka rënë në gjurmët e një organizate kriminale që kryente trafik droge nga jugu i Shqipërisë drejt Greqisë. Në organizatë është infiltruar një agjente greke, biondja e njohur me emrin “Athina”. Ka qenë kjo e fundit që ka rënë në kontakt me tregëtarët e drogës në Shqipëri dhe më pas ka marrë përsipër transportimin e hashashit, 162.2 kg drejt Athinës.
Operacioni është zhvilluar ditën e martë. Pasi ka marrë drogën në kufirin shqiptaro-grek, nga persona që ajo arriti t’i identifikonte, agjentja, ka kryer transportimin e lëndës narkotike, një sasi prej 162.2 kg “cannabis sattiva”, drejt Athinës.
Pikërisht aty ka përfunduar dhe operacioni policor. Në momentin që agjentja e infiltruar ia ka dorëzuar drogën një shqiptari 20-vjeçar, ka ndërhyrë policia greke, dhe ka vënë në pranga porositësin.
Atij i është sekuestruar edhe një automjet që do të shërbente për transportin e drogës. Policia greke konfiromon zyrtarisht edhe shpalljen në kërkim të një shqiptari, i cili pas hetimeve, rezultoi të jetë pronar i drogës. Emri i tij nuk bëhet i ditur, por dokumentacioni i tij i ka kaluar policisë shqiptare me një urdhër arresti ndërkombëtar.
Shpresa Dine
© Panorama.al











