
Katër shqiptarë u arrestuan dje në dy operacione të ndryshme nga Policia e Antidrogës greke. Njëri prej tyre, me emrin Anastas K., 44 vjeç, u prangos në afërsi të Janinës pasi në makinën e tij me targa greke u zbulua 1 kg heroinë. Sipas Policisë, dyshohet se droga është marrë në Shqipëri, nisur nga fakti se 44-vjeçari kishte hyrë pak ditë më parë në territorin tonë. Pak orë më parë, një tjetër rast droge, këtë herë 22 kg marijuanë, u zbulua në afërsi të aksit nacional Kakavije-Janinë në vendin e quajtur Ktsimata. Transportues të marijuanës kanë qenë katër shtetas shqiptarë, të cilët ecnin me këmbë të pashqetësuar deri në momentin e kapjes nga Policia Kufitare helene. Droga e kapur gjendej në dy çanta të mëdha shpine dhe mbahej nga të rinjtë shqiptarë të moshave 22-25 vjeç. Shtetasit shqiptarë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur nga policia, sapo kanë parë lëvizjet e policisë fqinje, kanë tentuar të fshihen. Të dyja çantat, brenda të cilave kishte 28 pako me marijuanë të presuar, të mbështjella me letër ngjitëse, janë braktisur nga shqiptarët, të cilët nën panik u larguan në drejtime të ndryshme për t’i shpëtuar kapjes. Arratia e tre prej trafikantëve shqiptarë, nuk zgjati më shumë se 1 orë, pasi u kapën në thellësi të terrenit të dendur nga agjentët e Policisë së Janinës. Ndërsa i katërti arriti të shpëtonte. Sipas po të njëjtave burime, mbërritja e drogës në Greqi është realizuar përmes kufirit të gjelbër mes dy shteteve, larg vëmendjes së Policisë Kufitare shqiptare në fshatin Dritë, i cili gjendet në territorin shqiptar dhe mjaft afër kufirit grek. Sasia e marijuanës mendohet se është siguruar në Lazarat dhe mandej është kaluar pa problem për në territorin helen.











