Edhe pse qëndroi vetëm 22 ditë në “Big Brother 4”, konkurrenti nga Durrësi ishte një ndër banorët më protagonistë në lojë, dhe që pas përfundimit të spektaklit ishte ai që i mblidhte të gjithë konkurrentët së bashku duke vazhduar në një farë mënyrë “Big Brother” jashtë kamerave. Me një jetë plot aventura në Itali e vende të tjera të botës, tashmë ai është rikthyer në Shqipëri për një fillim të ri. Dhe natyrisht që në këtë fillim ndryshe në Shqipëri, synimi i tij i ri ishte nisja e studimeve të larta për Juridik, që nuk kishte pasur mundësi t’i ndiqte më parë. Ashtu siç e shprehu në prezantimin e tij para se të hynte në “Big Brother”, një nga hobet e tij përveç sporteve, ishte politika dhe drejtësia, ndaj dhe u angazhua në fushatën e Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës. Dhe, pas kaq vitesh, Toros ka fituar të drejtën e studimeve në degën e Juridikut pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, një e drejtë që i është dhënë me statusin e ish të përndjekurit politik. Ai pohoi se “Fillimi i studimeve të larta kishte qenë ëndrra e tij, dhe tashmë ai do të vazhdojë jetën si student. Nuk dihet se ç’do të bëjë me hobin që ka për televizionin, duke e përmendur dhe ekranin si ambicie të tij pas daljes nga loja. Pas eksperiencës së BB, ai pohoi se synimet e tij nuk kishin përfunduar ende. “BB ishte vetëm fillimi, pasi loja vazhdon jo vetëm në BB4, por edhe jashtë tij në çdo fushë”, tha Toros.











