“Mesazhi krtitik, ndaj një zyrtareje që do ta mbajë peng qytetin”
Pas akuzave të ndërsjella mes Presidentit dhe Kryetares së Kuvendit të shtunën, kreu i shtetit ka sqaruar edhe një herë pozicionin e tij lidhur me këtë situatë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat ditën e djeshme, si kundërpërgjigje e disa akuzave të bëra nga qendra kulturore e Shkodrës “Pjetër Gaci”, Topi theksoi se mesazhin kritik e kishte për një zyrtare të lartë të shtetit dhe jo për qytetin dhe qytetarët e Shkodrës. “Mesazhi kritik i Presidentit, siç mund të vërtetohet direkt përmes regjistrimeve televizive, i është adresuar nominalisht një zyrtari të lartë të shtetit, e cila me qëndrime e sjellje joinstitucionale keqpërdor detyrën kushtetuese, postin publik, etikën institucionale të komunikimit dhe vetë votën demokratike të Shkodrës. Çdo interpretim tjetër është jorealist dhe i sponsorizuar nga zyrtarë të veçantë, të cilët duan ta mbajnë qytetin peng të axhendave të tyre personale politike”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit e Presidentit. Ndonëse nuk ka përmendur emra, Topi ka theksuar më tej se zyrtarja në fjalë nuk përfaqëson qytetarinë e Shkodrës, teksa shton se ajo ka abuzuar me mandatin e marrë në këtë qytet. “Për këdo sot është e qartë se ky ose këta individë nuk përfaqësojnë Shkodrën, as traditat e saj të çmuara kulturore, por vetëm një grup individësh të lidhur me interesa specifikë pushteti, të cilët me rotacion nominal e kanë pronësuar me pa të drejtë vendimmarrjen politike të këtij qyteti. Kjo sjellje abuzuese me mandatin përfaqësues dhe vullnetin e qytetarisë shkodrane, me siguri që nuk ka dhe nuk mund të ketë mbështetje qytetare, përveç grupeve të tilla të izoluara dhe të lidhura me interesa të ngushtë ekonomikë e politikë”, vijon më tej deklarata. Sipas zyrës së kreut të shtetit “Presidenti i Republikës rishpreh vlerësimin e tij më të lartë për Shkodrën dhe gjithçka që ky qytet ka përfaqësuar denjësisht në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Ky vlerësim përbën bazën e nismës së Presidentit për të nderuar ditët e fundit disa nga personalitetet e saj më të shquara qytetare, kulturore e sportive, si dhe të qëndrimit të tij permanent në mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e traditës së pasur të qytetarisë shkodrane”.
Topalli
Pak ditë më parë në një dalje para mediave, kryeparlamentarja Topalli akuzoi kreun e Shtetit si bashkëpunëtor të kryetarit të PS-së, Edi Rama. “Natyrisht, e kam lexuar raportin dhe në mënyrë shumë të veçantë për çështjet e Drejtësisë, Gjyqësorin dhe për korrupsionin e madh që ka aty brenda. Për sa i takon arsyes për të cilën nuk është marrë statusi i vendit kandidat, bojkoti dhe bllokimi. Unë i kam parë gjithmonë bashkë, zotin Topi dhe zotin Rama, gjatë gjithë këtyre viteve”, deklaroi Topalli.
“Asnjë koment kritik për Shkodrën”
Në deklaratën e shpërndarë për mediat ditën e djeshme, kreu i shtetit thekson se “Në respekt të qytetarisë shkodrane, opinionit publik dhe përgjegjësisë institucionale, Presidenti sqaron se në asnjë rast, në asnjë fjalë apo veprim të tij nuk ka bërë komente kritike ndaj qytetit të Shkodrës, qytetarisë së saj, traditës së pasur të gjuhës apo të kulturës së saj”.
Shoqata nga Shkodra: Topi na fyeu
Përmes një deklarate për mediat, shoqata kulturore e Shkodrës “Pjetër Gaci” i ka kërkuar dje Presidentit Topi të tërheqë fyerjet që ka bërë ndaj këtij qyteti. “Dje, Shkodra priste Presidentin e Republikës, por u fye nga Presidenti i Bulevardit! T’i kërkojë falje Shkodrës dhe shkodranëve, pa votat dhe mbështetjen e të cilëve nuk do te ishte atje ku është! Mbështetjen, votën dhe besimin e Shkodrës antikomuniste dhe të qindra-mijëra demokratëve e shpërdorove paturpësisht për katër vjet dhe e hodhe me dorën tënde kundër tyre më 8 maj! Kërkojmë me forcë tërheqjen publikisht të deklaratave fyese ndaj dialektit shkodran, në të cilin penat e arta që Shkodra ka nxjerrë në shekuj stolisën gjuhën shqipe”, thuhet në deklaratë.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











