Polemikat e ditëve të fundit mes institucionit te Presidentit dhe kryetares se Kuvendit, Jozefina Topalli kanë vazhduar edhe sot.
Në përgjigje të disa mediave, sipas presidentit, të njohura si proqeveritare, të cilat në numrat e tyre të sotëm kanë shkruajtur lidhur me largimin e presidentit ditën e djeshme nga Stadiumi i Shkodrës pak përpara përfundimit të ndeshjes, Vllaznia- Tiaran, pasi është kontestuar nga tifozët, zyra e shtypit e kreut të shtetit i ka quajtur deformime të qëllimshme që synojnë t’i japin imazh negativ vizitës së presidentit në qytetin e Shkodrës.
“Presidenti i Republikës, ishte personaliteti i vetëm që nderoi ditën e djeshme në një ceremoni homazhi, kujtimin e aktorit të paharruar jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë, Ndrek Prela. I shoqëruar nga miq e dashamirës të shumtë shkodranë, Presidenti Topi ndoqi ndeshjen Vllaznia – Tirana në Stadiumin e qytetit të Shkodrës dhe largimi pak momente para mbarimit të ndeshjes, lidhej vetëm me detyrimin qytetar e institucional për të respektuar përfaqësuesit e familjeve të nderuara shkodrane, të mbledhura për ceremoninë e paralajmëruar të dekorimit të disa personaliteteve të sportit në qytetit e Shkodrës, që janë pikë referimi për çdo brez.”- shkruhet në reagimin e Presidentit Topi.
Më tej në këtë reagim, thuhet se “Mirënjohja që iu shpreh Presidentit Topi për vizitën e vlerësimin që dha për figurat e spikatura të sportit, si dhe privilegji i Kryetarit të Shtetit për të qenë së bashku me shumë qytetarë të nderuar të Shkodrës, ishin ndjesitë e përbashkëta që shoqëruan vizitën e djeshme të Presidentit Topi në Shkodër. Asnjë deformim mediatik i porositur në kushtet e një nervozizmi politik, nuk mund ta cënojë këtë realitet, që është krejt i natyrshëm për vetë kulturën e traditën e njohur të Shkodrës.”
© Panorama.al











