Topi takon Gyl: Intensifikim të marrëdhënieve

Oct 10, 2011 | 16:39
Topi pas mbërritjes në Turqi

ANKARA- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe homologu i tij turk Abdullah Gyl vlerësuan lart marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë.

Gjatë takimit që të dy presidentët patën, menjëherë pas mbërritjes së kreut të shtetit shqiptar në Ankara, u vu theksi tek interesi i përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të frytshëm reciprok në të gjitha aspektet, sidomos në fusha me rëndësi për zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik të dy shteteve.

Presidentët vlerësuan lart miqësinë dhe lidhjet tradicionale, historike dhe kulturore midis dy popujve tanë.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi është pritur me një ceremoni solemne nga Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl në Pallatin Presidencial, gjatë së cilës u ekzekutuan himnet kombëtare dhe u paraqit forca nga truproja e nderit, për të bërë më pas edhe prezantimin e delegacioneve zyrtare respektive.

Kryetari i Shtetit shqiptar, ka bërë homazhe në Mauzoleumin e Ataturkut ku vendosi një kurorë në shenjë respekti dhe nënshkroi Librin e Nderit

Topi do të qëndrojë në një vizitë 3- ditore në Turqi ku do të takohet me krerët më të lartë të shtetit.

© Panorama.al

Te lidhura