
“Por rritja ekonomike është më e madhe se vendet e rajonit”
Shqipëria është e prekur nga kriza, megjithëse rritja ekonomike vjet ishte më e madhja në rajon. Kështu deklaroi dje Presidenti Bamir Topi në punimet e Debatit të Nivelit të Lartë, me temë: “Gjendja e ekonomisë botërore”, të mbajtur në Nju-Jork, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun dhe Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme, Nasir Abdulaziz Al-Naser. “Si rezultat i ndikimit të efekteve të tregjeve financiare, tregtisë, investimeve dhe remitancave edhe në një vend më pak të integruar në ekonominë rajonale dhe botërore, siç është Shqipëria, tashmë vihet re ndikimi i krizës pavarësisht se rritja ekonomike e saj ishte më e madhe se sa në vendet e tjera në rajon”, u shpreh Topi. Sipas tij, është një realitet që sot Shqipëria është jo vetëm një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, por ajo ka përmirësuar ekonominë e saj në raport me vendet e tjera të rajonit. “Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike mesatare vjetore rreth 5.5 për qind deri në vitin 2009, gjë që ka çuar në një rritje të mirëqenies së shtetasve tanë. Gjithashtu, janë rritur investimet e kapitalit të huaj, është përmirësuar infrastruktura e vendit, është zgjeruar rrjeti i arsimit, shëndetësisë, mediave, shoqërisë civile, si dhe pjesëmarrja më e gjerë e gruas dhe rinisë në gjithë jetën politiko-shoqërore. Kjo situatë ndryshimesh pozitive ka përfshirë edhe vende të tjera të Ballkanit që aspirojnë të integrohen në Europën e Bashkuar. Dëshiroj me këtë rast të përshëndes shtetin e ri, të pavarur të Kosovës, që brenda një kohe të shkurtër ka arritur rezultate pozitive në të gjitha proceset e demokracisë dhe të reformave ekonomike, duke ndikuar direkt në paqen e sigurinë e rajonit”, tha Topi. Duke nënvizuar më tej në fjalën e tij edhe faktin se “dobitë e globalizimit janë shumë herë më të mëdha se sa kostot e tij, madje ato shtrihen përtej kufijve të ekonomisë në lidhjet pozitive reciproke të globalizimit me demokracinë”, kreu i shtetit theksoi se “ngadalësimi i procesit të globalizimit do të mund të ulte zhvillimin botëror dhe nivelin e arritur të jetesës, prandaj duhet të marrim në konsideratë të veçantë faktin se njerëzit përshtaten shpejt me nivelet më të larta të jetesës dhe po të jetë se ngadalësohet përparimi, atëherë mendojnë se po privohen nga diçka dhe fillojnë të kërkojnë interpretime të reja”.











