TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë takimit që pati me zv/drejtorin e Përgjithshëm i Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefano Sanino tha se është e domosdoshme që klasa politike duhet t’i shohë si një shans sugjerimet e partnerëve europianë.
Duke iu referuar Raportit të Parparimit 2011, kreu i shtetit tha se duhen realizuar reformat e nevojshme në luftën kundër korrupsionit, për konsolidimin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe për garantimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomiko-social për qytetarët e këtij vendi.
“Nevoja për një dialog konstruktiv dhe institucional nuk është më vetëm një kërkesë, por ajo duhet të tingëllojë tashmë si një kambanë alarmi për t’i rikujtuar klasës politike shqiptare angazhimin e marrë përpara votuesve shqiptarë, përgjegjësinë për të mos humbur më kohë në arritjen e një misioni historik, atë të integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe faktin se vetëm bashkëpunimi dhe dialogu politik janë një ndër shtyllat bazë për një demokraci funksionale”, – u shpreh Presidenti i Republikës në këtë takim.
Sannino tha se është detyrë e klasës politike shqiptare, sidomos e udhëheqësve të saj kryesorë, që të nisin menjëherë dialogun konstruktiv institucional dhe të kryejnë reformat aq të nevojshme dhe jetësore për të ardhmen integruese të vendit.
“Dyert e Evropës vazhdojnë të mbeten të hapura për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, por në fillim duhen përmbushur dhe plotësuar të dymbëdhjetë kriteret e nevojshme, në mënyrë që fitimi i ardhshëm i statusit të vendit kandidat të jetë plotësisht i merituar.” – theksoi zoti Saninno.
© Panorama.al











