Në ditën e dytë të qëndrimit në Turqi, presidenti Bamir Topi mori pjesë në Këshillin e përbashkët të biznesit shqiptaro-turk në Stamboll.
Gjate fjales se tij, ai deklaroi se Shqipëria dhe Turqia janë vende aleate strategjike në rajon dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera.
“Shqiptarët që jetojnë në Turqi na lidhin më shumë. Vëmendja e politikës ndaj biznesit është domosdoshmëri. Politika duhet të bëjë lehtësime ligjore ndaj biznesit, me qëllim inkurajimin e mëtejshëm të tij”, tha Topi.
Vizita
Nga Turqia, ku ndodhet për një vizitë 3- ditore, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi kërkoi nga klasa politike shqiptare që të reflektojë, duke vendosur si prioritare në agjendën politike interesat madhore të qytetarëve shqiptarë, sot e për të ardhmen.
Komentet, Topi i bëri gjatë një takimi që pati me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek.
Presidenti Topi theksoi se “një klimë e qetësuar dhe e stabilizuar politike në vend, po ashtu dhe një bashkëveprim dhe koherencë e vendimmarrjeve të rëndësishme në këtë kuadër, do të ishin primare në këtë situatë, kur vendi ynë pret të marrë statusin e vendit kandidat për në BE”.
Topi dhe Çiçek vlerësuan nivelin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, ndërsa shprehën besimin në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
© Panorama.al












