Topi: PS-PD të ndryshojnë Kushtetutën

Oct 19, 2011 | 11:38
Konferenca e djeshme për kufizimin e imuniteteve

Presidenti Bamir Topi u bën thirrje forcave politike të gjejnë konsensusin për të hequr përmes Kushtetutës imunitetin e zyrtarëve të lartë. Në një tryezë të organizuar nga Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian, kreu i shtetit u shpreh se partitë duhet ta shohin si një sfidë reformën në këtë fushë. “Unë mendoj se i gjithë ky proces duhet parë dhe duhet konsideruar si një sfidë e përbashkët e të gjitha partive parlamentare dhe për këtë kërkohet një vullnet i përbashkët që në planin politik të përkthehej në një konsensus për realizimin e kësaj reforme të domosdoshme. E konsideroj shumë të rëndësishme që të gjendet sa më parë gjuha e përbashkët për të evituar që mosmarrëveshjet politike të pengojnë apo të ngadalësojnë diskutimet për reformimin e imuniteteve”, u shpreh Presidenti. Në fjalën e tij kreu i shtetit bëri edhe një propozim konkret teksa tha se Komisioni i Ligjeve të nisë menjëherë punën për të propozuar ndryshimet kushtetuese, të cilat do të kalojnë më pas për votim në Parlament. “Në pikëpamje praktike, vlerësoj se është e nevojshme që Kuvendi, nëpërmjet Komisionit të Ligjeve apo çfarëdo tjetër formë organizimi, të fillojë menjëherë nga puna që nën dritën e reformave kushtetuese që kanë kryer vende të tjera në këtë drejtim, si dhe të rekomandimeve të paraqitura, të propozojë ndryshimet e nevojshme për reformimin e imuniteteve në Shqipëri”, u shpreh Presidenti.
Kritikat
Kreu i shtetit nuk i kurseu kritikat për zyrtarët e lartë që e kanë përdorur imunitetin si një mburojë nga nisja e ndjekjes penale. Ai iu referuar për këtë progres-raportit të fundit të Komisionit Europian, sipas të cilit, korrupsioni vazhdon të jetë një problem veçanërisht serioz për vendin. “Një pjesë e mirë e këtij dokumenti i është kushtuar korrupsionit dhe problematikës që shoqëron luftën ndaj këtij fenomeni. Në lexim institucional, konstatoj se raporti konfirmon shqetësimin tim publik, se sistemi i imuniteteve është kthyer në pengesë për rritjen e forcës goditëse të luftës ndaj fenomeneve korruptive. Politikanë, gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë, për shkak edhe të kësaj mbrojtjeje kushtetuese të tyre, ndihen të pakapshëm nga forca e ligjit”, u shpreh Presidenti. Sipas tij, “imuniteti, nga një institut i vendosur për të siguruar ushtrimin e lirë të detyrës dhe mandatit të dhënë, shpeshherë është kthyer në koracë mbrojtëse të papërgjegjshmërisë dhe të korrupsionit. Zyrtarët e lartë shpesh e kanë përdorur imunitetin jo si një mjet të dhënë nga Kushtetuta për të garantuar kontributin e tyre në shoqëri, por si një mburojë ndaj hetimit dhe ndjekjes penale për shkeljet e kryera prej tyre”. Sa i përket procedurës aktuale, sipas së cilës para se të hiqet imuniteti duhet të paraqiten në institucionin përkatës disa prova, Presidenti Topi tha se në këtë mënyrë cenohet hetimi. “Imuniteti nuk është vetëm pengesë për fillimin e ndjekjes penale dhe hetimin e një zyrtari. Por, kërkesa kushtetuese për dhënien e autorizimit nga institucionet përkatëse për hetimin e një zyrtari bën që sekretet hetimore të vihen në dispozicion të shumë individëve. Në momentin kur zyrtari për të cilin kërkohet heqja e imunitetit vihet në dijeni pa filluar ndjekja penale, për të gjitha provat në ngarkim të tij, kjo, pa dyshim, do të cenonte dhe dobësonte hetimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar të këtij zyrtari”, përfundoi Topi.

Dialogu
“Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për më tepër etikë komunikimi, më tepër dialog, më tepër bashkëpunim. Sot vendi ka më shumë nevojë për ngrohtësi dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Sot ka nevojë të ndërgjegjësohemi se sfida europiane e Shqipërisë kërkon punë, përkushtim ndaj vlerave të zhvilluara europiane, kërkon seriozitet dhe bashkëpunim. Aspirata europiane e Shqipërisë duhet të jetë një sfidë e përditshme për të gjithë shoqërinë tonë, për të gjitha institucionet, zyrtarët, politikanët, për ta bërë integrimin në familjen europiane një bashkim real, një vlerë të rëndësishme që duam të arrijmë, dhe jo thjesht një detyrim ndaj demokracive, natyrisht aty ku dëshirojmë të integrohemi”, u shpreh kreu i shtetit.

Ligji
Sipas Presidentit, zhvillimet e shoqërisë dhe dinamika e institucioneve e bëjnë të domosdoshëm diskutimin për reformimin e sistemit të imuniteteve. “Ka ardhur koha që barazia para ligjit të mos jetë thjesht një parim i vendosur në Kushtetutë, por edhe një parim i realizuar dhe sa më i prekshëm. Vende të tjera europiane e kanë bërë këtë vite përpara. Le t’u bashkohemi këtyre zhvillimeve pozitive europiane, duke e parë reformimin e imuniteteve jo si një detyrim në procesin e integrimit të Shqipërisë, por si nevojë për zhvillimin e vendit, si synim që i shërben një qeverisjeje demokratike dhe transparente”, u shpreh Presidenti në fjalën e tij.

Sekui: Imuniteti nuk i vendos zyrtarët mbi ligjin
I pranishëm në konferencën e organizuar nga KiE dhe BE, ambasadori i KE-së në Tiranë, Etore Sekui, u shpreh se në Shqipëri është me rëndësi jetike të luftohet korrupsioni në Drejtësi, përmes edhe limitimit të imunitetit të gjyqtarëve. Sipas tij, iniciativa e ndërmarrë është veçanërisht e rëndësishme pasi synon të nxisë procesin për të garantuar një kuadër ligjor që lufton korrupsionin në të gjitha fushat. “Imuniteti duhet të kuptohet në mënyrën e duhur pasi nuk i jep një pozicion të caktuar, i cili i vendos gjyqtarët apo zyrtarët e caktuar mbi ligjin. Por, imuniteti apo imunitetet do të thotë që zyrtarët apo gjyqtarët mbajnë edhe lirinë e tyre për të funksionuar në mënyrë të pavarur. Ndërkohë që duhet të ruajnë edhe përgjegjësinë e madhe që kanë për të dhënë llogari”, u shpreh ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë. Ai theksoi se heqja e imunitetit kërkon një bashkëpunim të të gjitha forcave politike. “Imuniteti do të thotë se zyrtarë dhe gjyqtarë mbajnë dhe liritë e tyre për të funksionuar të pavarur, por edhe të japin llogari kur ka shkelje. Të luftohet korrupsioni të në gjitha nivelet. Dua të theksoj se kjo është punë thelbësore që ka nevojë për të gjitha forcat politike. Sidomos në fushat e studimit të ligjit dhe në një kontekst të tillë duhet konsultim. Kam besim se diskutimet e sotme do ta çojnë përpara procesin e reformave”, tha ambasadori.

Propozimet e KiE dhe BE për Kushtetutën dhe Rregulloren
“Projekti i luftës kundër korrupsionit” rekomandon ndryshimin e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit sa i takon heqjes së imunitetit. “Imuniteti për Avokatin e Popullit, anëtarët e KQZ-së dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit përcaktohet në Kushtetutë dhe, për pasojë, mund të shfuqizohet vetëm përmes ndryshimeve në Kushtetutë”, thuhet në gjetjet kryesore që çojnë në prekjen e ligjit themeltar të shtetit. Sa i përket Rregullores së Kuvendit, theksohet se “ndryshimet në Rregullore, që synojnë reduktimin e diskrecionit të Parlamentit në procesin e heqjes së imunitetit, do të ishin gjithashtu të dyshimta nga ana kushtetuese dhe, për më tepër, do të preknin vetëm një aspekt të çështjes së imunitetit”.

“Gjyqtarët të përgjigjen para ligjit”
EURALIUS, në propozimet e tij që prekin fushën e Gjyqësorit, rekomandon heqjen e imunitetit për gjyqtarët. “Imuniteti i përgjithshëm duhet hequr. Gjyqtarët duhet të përgjigjen përpara ligjit për shkeljet e kryera jashtë funksionit të tyre gjyqësor. Gjyqtarët duhet të mbrohen vetëm ndaj padive civile dhe kërkesave penale bazuar në opinionet e shprehura ose votat e dhëna gjatë ushtrimit të funksioneve. Prokurori kompetent duhet të jetë në gjendje të bëjë hetimin për krime të mundshme të kryera nga gjyqtarët pa nevojën e autorizimit paraprak nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë”, thuhet në këto rekomandime.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura