Topi: Produkte të klonuara në politikë

Oct 21, 2011 | 10:41

Presidenti i Republikës dhe kryetarja e Kuvendit kanë vazhduar edhe dje replikat ndaj njëri-tjetrit. I pranishëm në diplomimin e studentëve të Shkollës Politike Shqiptare, kreu i shteti, Topi, i këshilloi politikanët e rinj të jenë vetvetja dhe jo pjesë e një produkti të klonuar. “Duke vendosur së pari personalitetin, i cili është i pari, pa dyshim, çdo njeri vjen në një shoqëri demokratike, jo si një produkt i klonuar i dikujt tjetër, absolutisht. Të jetosh në një shoqëri demokratike, së pari duhet të ndihesh një njeri i lirë, të veprosh, të operosh me rregullat që ka një shoqëri demokratike dhe, të gjithë e dimë, nga mësimet e para, pikërisht mënyra se si duhet të sillesh”, u shpreh Topi para studentëve të Shkollës Politike. Ai bëri apel ruajtjen e etikës së sjelljes, shumë e rëndësishme në jetën politike, pasi sipas tij, të jesh politikan duhet të operosh me rregullat që ka një shoqëri demokratike, ku i pari është komunikimi. “Nuk dua të futem në raste që na bëjnë të hidhërohemi, kur njerëz të rinj në moshë, të cilët nuk kanë pasur absolutisht asnjë lidhje kondicionale me politikën konfliktuale, sot janë të butë, kanë një profil shumë civil dhe në debatet e para televizive, kur futen nga partitë politike, tjetërsohen. Jo. Nuk mendoj që është ky modeli. Modelin duhet ta zgjidhni ju dhe modelin e keni, e keni pikërisht tek ajo certifikatë që ju merrni sot. Brenda asaj certifikate ka shumë modele. Sikurse përfaqësuesi nga Japonia e kishte reduktuar raportimin për korrupsionin në Japoni në pak rreshta, e njëjta ndodh në atë certifikatë, ku në pak rreshta ka shumë elemente, ka shumë elemente se si respektohet shteti, se si respektohet institucioni, si respektohet etika e komunikimit dhe sa të ndërgjegjshëm janë ata që merren me politikë dhe në jetën institucionale janë në shërbim të shoqërisë që i ka votuar dhe për të cilën ata duhet të shërbejnë”, u shpreh kreu i shtetit.
Topalli
Po dje, gjatë një prononcimi televiziv për “ABC News”, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e akuzoi kreun e shtetit të pozicionuar në krah të opozitës, duke vijuar në këtë mënyrë debatin mes saj dhe Presidentit. “Nëse Brukseli dhe maxhoranca kanë axhendë të tyre 12 prioritetet, duket se zoti Rama ka një axhendë krejt tjetër nga këto tonat, dhe kjo është një përgjegjësi e madhe. Ndoshta këtij bojkoti dhe bllokimi që e bëri Shqipërinë të mos marrë statusin e vendit kandidat i është shtuar edhe fakti që ne në Shqipëri nuk kemi një institucion ‘super party’ (mbi palët). Pa dyshim, kjo ka ndikimin e vet”, u shpreh kryetarja e Kuvendit. Pak ditë më parë, kreu i shtetit iu përgjigj një deklarate të kryetares së Parlamentit, sipas së cilës, Presidenti ishte bërë palë me opozitën për bllokimin e integrimit të vendit. Presidenti Topi e cilësoi Topallin një spikere, e cila “duhet të lexojë mirë tekstin që i shkruajnë dhe të flasë korrekt gjuhën shqipe”, deklaratë kjo që krijoi reagime të ashpra nga qytetarë të Shkodrës.

Etore Sekui
Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Etore Sekui, u shpreh se gjuha më e këndshme për veshin e njeriut është gjuha e bashkimit. “Një nga motot e BE-së është të jemi të bashkuar në diversitetin tonë, të ndryshëm, por të bashkuar. Çfarë do të thotë kjo? Ne kemi gjuhë të ndryshme, por ne e kuptojmë njëri-tjetrin. Nëse më pyesni se cila është gjuha që unë kam më qejf, unë do të përgjigjem thjesht: gjuha ime e preferuar është gjuha e bashkimit”, iu përgjigj gazetarëve Sekui lidhur me debatin Topi-Topalli.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura