Topi: Politika të nisë dialogun institucional

Oct 13, 2011 | 11:53

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kërkoi prej dy forcave politike rinisjen e dialogut institucional. Duke fajësuar politikën si shkaktaren e humbjes së statusit të vendit kandidat, gjatë takimit me ambasadorin Sekui, Presidenti vuri në dukje se aspirata e qytetarëve shqiptarë për integrim në BE vijon të mbetet përparësia jonë kryesore. “Ne do ta lexojmë raportin e përparimit me kujdes e me shumë vëmendje, duke qenë të vendosur të ecim përpara në këtë rrugëtim integrues, por do të vazhdojmë t’i inkurajojmë e t’i nxisim aktorët politikë që të adoptojnë një sjellje të vërtetë europiane. Këta aktorë kryesorë politikë duhet të gjejnë rrugën e komunikimit normal politik dhe dialogut të duhur institucional që mungon prej kohësh, duke u bërë edhe arsyeja kryesore për mosarritjen e objektivit të marrjes së një vlerësimi pozitiv nga Bashkimi Europian”, theksoi Topi

Sekui i dorëzon raportin Haxhinastos
Ambasadori i Delegacionit të BE në Tiranë, Etore Sekui, i dorëzoi raportin e progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë zëvendëskryeministrit, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Ministri vuri në dukje se plani i veprimit që përmbledh angazhimet dhe detyrat që duhen plotësuar sipas 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, mbetet pikëprerja më e mirë për të bashkuar të gjitha energjitë dhe vullnetet politike në vend për të arritur progres të prekshëm në fushat e përcaktuara si prioritare.

Raporti, në Kuvend para seancës plenare
Raporti do t’i dorëzohet ditën e sotme edhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Takimi me ambasadorin Sekui vjen para fillimit të seancës plenare, ku në rendin e ditës janë caktuar një sërë projektligjesh, të cilat kërkojnë shumicë të cilësuar. Pavarësisht publikimit të raportit, edhe nesër nuk pritet miratimi i kodeve dhe i projektligjit për Gjykatën Administrative, për të cilat opozita ka vënë kusht paktin e saj prej dhjetë pikash.

Debati për humbjen e statusit kandidat
Që nga korriku, kur dy ekspertët e Komisionit Europian përfunduan raportin e tyre për gjendjen politike në Shqipëri, maxhoranca dhe opozita akuzuan njëra-tjetrën për përgjegjësinë e humbjes së statusit të vendit kandidat. Sipas opozitës, qeveria nuk ka arritur realizimin e 12 kritereve të vendosura nga BE, ndërsa shumica i akuzoi socialistët se kanë bllokuar reformat me qëndrimin e saj në Kuvend.

© Panorama.al

Te lidhura