
Presidenti Bamir Topi ka udhëtuar dje për në Uashington, ku do të marrë pjesë në diskutimin që do të bëhet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara lidhur me gjendjen ekonomike botërore. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur dje në mesditë se Topi ka marrë një ftesë nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Ban Ki Mun dhe Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Nasir Abdulaziz Al-Naser, për të marrë pjesë në Debatin e Nivelit të Lartë që do të zhvillohet në datat 17-18 maj 2012 në Nju-Jork. “Në këtë aktivitet të rëndësishëm të diskutimit të çështjes më të mprehtë të kohës, gjendjes ekonomike në botë, janë ftuar kryetarë shtetesh e qeverish, autoritete të tjera të larta shtetërore e të politikës botërore, si dhe drejtues të organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Organizatës Botërore të Tregtisë etj. Gjatë debatit të nivelit të lartë të përqendruar mbi: “Gjendjen ekonomike botërore”, do të trajtohen një sërë tematikash mbi sfidat komplekse makroekonomike me të cilat përballet bota sot si papunësia, borxhi, inflacioni, tregtia dhe investimet, si dhe rregullimi i sektorit financiar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Gjatë qëndrimit në OKB kreu i shtetit tonë do të mbajë një fjalë në kuadër të këtij debati, në të cilën do të përcjellë disa pikëpamje në lidhje me gjendjen ekonomike të krijuar nga kriza financiare dhe ekonomike. “Vizita zyrtare e kreut të shtetit shqiptar pranë organizatës më të madhe në botë për sigurinë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe barazinë sociale, parashikon edhe një sërë takimesh të rëndësishme si me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun etj., me drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (NAAC)”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.
Vizita
Zyra e shtypit e Presidentit bën të ditur se gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Topi do të dekorojë Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” e mjaft personalitete të shquara shqiptare e amerikane me një kontribut të rëndësishëm në promovimin e vlerave atdhetare, kulturore e paqedashëse të shqiptarëve.











