
Kreu i Shtetit, Bamir Topi ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Ban Ki-mun dhe Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme, Nasir Abdulaziz Al-Naser po merr pjesë në një aktivitet të rëndësishëm të diskutimit të çështjes më të mprehtë të kohës, gjendjes ekonomike në botë.
Në fjalën e tij në Asamblenë e OKB-së, Topi tha se Shqipëria i ka kushtuar një vëmendje të veçantë reformave ekonomike dhe legjislative, ndërsa shtoi se deri në vitin 2009 Shqipëria ka patur një rritje ekonomike deri në 5.5%.
Megjithatë, Topi tha se tashmë Shqipëria është duke e ndjerë krizën ekonomike. Duke e vënë theksin tek ndikimi i efekteve të tregjeve financiare, tregtisë, investimeve, sipas Topit edhe një vend më pak i integruar në ekonominë rajonale dhe botërore siç është Shqipëria, tashmë vihet re ndikimi i krizës pavarësisht se rritja ekonomike e saj ishte më e madhe se sa në vendet e rajonit.
Presidenti Republikës theksoi se Shqipëria ka rritur investimet e huaja, dhe ka përmirësuar infrastrukturën.
Duke folur për rolin e Shqipërisë në rajon, kreu i shtetit tha se vendi ynë është faktor stabiliteti.
Në fjalën e Presidentit Topi zuri vend edhe Kosova, për të cilën u shpreh; “Më lejoni të përshëndes shtetin e pavarur të Kosovës, që brenda një kohe të shkurtër ka arritur progres në të gjitha proceset, duke ndikuar në paqen dhe sigurinë në rajon.”
Më tej Presidenti Topi u ndal tek kriza ekonomike në të gjithë botën, ku tha se kriza vërtetoi se asnjë vend nuk ishte imun. Presidenti, gjithsesi shprehu bindjen se kalimi i krizës do të jetë zgjidhje e rradhës.
© Panorama.al











