Topi merr raportin: Dështimi, faji i politikës

Oct 12, 2011 | 18:50

Arsyeja kryesore e mosmarrjes së një vlerësimi pozitiv nga Bashkimi Evropian është komunikimi jo normal politik, që vazhdon prej kohësh në Shqipëri. Ky ka qene qëndrimi i Presidentit të Republikës Bamir Topi, ndërsa ambasadori i BE-së Etore Sekui i dorëzoi progres raportin.

“Ne do ta lexojmë Raportin e Përparimit me kujdes e me shumë vëmendje duke qenë të vendosur të ecim përpara në këtë rrugëtim integrues”, – theksoi Presidenti i Republikës, – “por do të vazhdojmë t’i inkurajojmë e t’i nxisim aktorët politikë që të adoptojnë një sjellje të vërtetë evropiane. Këta aktorë kryesorë politikë duhet të gjejnë rrugën e komunikimit normal politik dhe dialogut të duhur institucional, që mungon prej kohësh duke u bërë edhe arsyeja kryesore për mosarritjen e objektivit të marrjes së një vlerësimi pozitiv nga Bashkimi Evropian”.

Gjatë takimit me ambasadorin Sekui, kreu i shtetit theksoi se aspirata e qytetarëve shqiptarë për integrim në BE vijon të mbetet përparësia kryesore.

Pasi vlerësoi rolin pozitiv të Presidentit të Republikës, ambasadori Sekui theksoi edhe njëherë se Raporti i Përparimit 2011 i Komisionit Evropian, i cili paraqet në mënyrë objektive situatën aktuale, do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për rrugëtimin e ardhshëm integrues të Shqipërisë dhe plotësimin e standardeve nga ana e saj.

© Panorama.al

Te lidhura