Topi, Mekiluam: Politika të lërë debatet shterpë

Oct 3, 2011 | 13:14

TIRANË- Duke theksuar përgjegjësinë që politika mbart për imazhin e vendit para ndërkombëtarëve, kreu i shtetit, Bamir Topi ka apeluar për lënie mënjanë të mllefeve, retorikave boshe e debateve shterpë dhe bashkëpunim për plotësimin e reformave për integrimin.

Deklarata është bërë sot gjatë takimit që Topi zhvilloi me Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mekiluam, mbi situatën aktuale politike dhe institucionale në Shqipëri.

“Klasa politike shqiptare duhet t’i lërë mënjanë mllefet politike, retorikën boshe dhe debatet shterpë dhe të mendojë e të përkushtohet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit, si dhe integrimin dinjitoz e sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen evropiane”, – theksoi Presidenti i Republikës.

Sipas tij, shqiptarët me shumë sakrifica kanë kontribuar për imazhin e tyre si njerëz me kurajë, mbështetës dhe aspirues të vlerave demokratike dhe evropiane, ndaj është në detyrimin e përfaqësuesve të popullit, institucioneve shqiptare që t’u përgjigjen këtyre standardeve.

Nga ana e saj, Ambasadorja Mekiluam theksoi nevojën për një agjendë kombëtare reformash strategjike të arritur me vullnet të qartë dhe konsensus politik, e cila do të mundësojë integrimin e vendit tonë në gjirin e Bashkimit Evropian.

© Panorama.al

Te lidhura