Kreu i shtetit, Bamir Topi, u takua dje me kryetarin e komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu dhe kryetarin e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa. Në fjalën e tij Topi theksoi se po ndjek me vëmendje të veçantë zhvillimet në Luginën e Preshevës. Kreu i shtetit vuri në dukje se është në interesin e të gjithë qytetarëve të komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës që të mundësohet një ambient i shëndoshë sigurie, duke i bërë thirrje, me këtë rast, të gjithë faktorit politik shqiptar atje, që të ruajë qetësinë dhe unitetin, duke shmangur acarimet dhe përplasjet politike. “Është shumë e rëndësishme që për përmbushjen e kërkesave tuaja të drejta dhe legjitime ndaj shtetit serb, shqiptarët shprehen më një zë dhe të mbajnë një qëndrim”, theksoi Topi, duke siguruar se shqetësimet e banorëve të kësaj lugine do të vazhdojë t`i bëjë pjesë të axhendës dhe të çdo takimi që do të zhvillojë me partnerët ndërkombëtarë.











