TIRANË- Luftë të vështirë dhe me pengesa e ka quajtur kreu i shtetit, Bamir Topi luftën kundër korrupsionit në vendin tonë. Gjatë një takimit të zhvilluar me kryetarin Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), Adriatik Llalla si dhe drejtues të institucioneve homologe të shteteve anëtarë të “Rrjetit Rajonal Kundër Korrupsionit”, Topi ka deklaruar se lufta ndaj korrupsionit mbetet një nga sfidat e vështira të Shqipërisë.
“Në një kohë kur lufta kundër korrupsionit është çështje themelore në aktivitetin publik dhe politik edhe të vendeve të rajonit, Shqipëria dhe institucionet e saj do të arrijnë të përballojnë të gjitha vështirësitë në luftën me pengesa kundër korrupsionit, për të arritur nivelet e standardet demokratike të vendeve të zhvilluara evropiane” – tha Topi.
Sipas tij, kjo luftë mbetet një nga sfidat më të rëndësishme, por dhe nga më të vështirat, për ta luftuar në të gjitha format e saj me synim realizimin e aspiratave integruese të Shqipërisë.
Ndërkohë, kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla, duke vënë në dukje bashkëpunimin e vyer me partnerët ndërkombëtarë si dhe punën efikase të bërë deri më tani nga ILDKP, në cilësinë e drejtuesit të “Rrjetit Rajonal Kundër Korrupsionit,” shprehu bindjen se, nëpërmjet bashkëpunimit të të gjithë faktorëve publikë, si edhe prezantimit të transparencës në nivele maksimale, ILDKP-ja do të jetë e aftë të realizojë qëllimin kryesor, forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
© Panorama.al











