
Presidenti Bamir Topi kthen sërish në Kuvend ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, apo, siç njihet ndryshe, ligji i “plehrave”. Në ditën e fundit që lejon Kushtetuta, kreu i shtetit ka vendosur të mos e dekretojë ligjin, por në vend të firmës mbi të, ai përgatiti një argumentim prej dy faqesh përse disa nene të ligjit binin ndesh me njeri-tjetrin. Neni të cilit i është referuar Presidenti për ta kthyer ligjin në Parlament për t’u rishikuar është pikërisht ai me nr. 49, që krijon mundësi për të importuar në Shqipëri mbetje jo të rrezikshme.
Argumentet
Në fillim të letrës drejtuar Kuvendit, kreu i shtetit i referohet Kushtetutës, e cila parashikon “si një ndër objektivat sociale të institucioneve shqiptare, synimin për një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”. Ai e vlerësoi ligjin si një përpjekje të rëndësishme dhe të domosdoshme për zgjidhjen e një problemi me pasoja për mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Megjithatë, për Presidentin ka tri arsye përse ai nuk mund të dekretohet dhe duhet të ndryshohet përpara se të hyjë në fuqi. Së pari, i gjithë ligji parashikon rregullat dhe procedurat për parandalimin dhe minimizimin e mbetjeve ose pakësimin e ndikimeve negative, por neni 49, për importin e mbetjeve në Shqipëri, del jashtë qëllimit të këtij ligji. “Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për ‘minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve’, apo ‘pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve’”, thuhet në motivacionin e kreut të shtetit drejtuar Parlamentit. Së dyti, Topi i referohet nenit 2, pika 1 e ligjit, i cili flet për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë dhe ky nen, sipas tij, bie ndesh me nenin 49, që flet për importimin e mbetjeve. “Gjykoj se kjo dispozitë ka parasysh se në territorin e Republikës së Shqipërisë do të menaxhohen mbetjet që vijnë nga burime brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Meqenëse neni 49 i ligjit bën fjalë për importin e mbetjeve në Shqipëri, atëherë vlerësoj se neni 49 vjen në kundërshtim edhe me objektin e ligjit të shprehur në dispozitën parimore të tij, neni 2, pika 1”, thekson më tej Topi. Së treti, ai i referohet sërish pikës 2, që flet për parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative të këtyre mbetjeve, ndërkohë që neni 49, ai i importit, “jo vetëm që nuk ndihmon në arritjen e këtij qëllimi, pra në parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton edhe përdorimin e burimeve të mbetjeve”. Motivacionin kreu i shtetit e mbyll duke thënë se kthimi i ligjit synon të realizojë sa më mirë qëllimin e tij, menaxhimin e mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit.
Importimi i mbetjeve jo të rrezikshme
Në nenin 49 të ligjit përcaktohet se “vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo mbetjet inerte mund të importohen në Republikën e Shqipërisë. Importimi i mbetjeve sipas pikës 1 lejohet vetëm me autorizim të Këshillit të Ministrave. Autorizimi për importimin e mbetjeve të këtij lloji lëshohet vetëm në përputhje të plotë me këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi. Këshilli i Ministrave, kur shqyrton kërkesën për autorizim për importim mbetjesh, merr në konsideratë arsyet pse duhet të importohen këto mbetje”.
Motivacioni
“Kthimi i këtij ligji për t’iu nënshtruar edhe njëherë shqyrtimit tuaj, synon realizimin sa më të mirë të qëllimit për të cilin është miratuar nga ana juaj, menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut. Mbetem i mendimit se ligji ka nevojë për përmirësime në drejtimet e mësipërme, por gjykoj se çdo variant i ofruar duhet të jetë në pajtim me objektivat socialë që Kushtetuta ka vendosur, që institucionet dhe shoqëria shqiptare duhet të kenë në raport me jetën tonë dhe brezat e ardhshëm”, thuhet në motivacionin e Presidentit.
Argumentet e Presidentit
1. Në një kohë kur i tërë ligji i është dedikuar marrjes së masave dhe kryerjes së procedurave për menaxhimin mjedisor të mbetjeve në Shqipëri, si një problem i rëndë dhe ende i pazgjidhur i mjedisit shqiptar sot, krijimi i mundësive për import të mbetjeve të vendeve të tjera, duket se bie ndesh me qëllimin e deklaruar për “minimizimin e mbetjeve ose pakësimit të ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve”, apo “pakësimit të ndikimeve negative të përgjithshme nga përdorimi i burimeve”.
2. Gjithashtu, neni 2, pika 1 e ligjit përcakton objektin e ligjit, duke parashikuar se dispozitat e tij zbatohen për menaxhimin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjykoj se kjo dispozitë ka parasysh se në territorin e Republikës së Shqipërisë do të menaxhohen mbetjet që vijnë nga burime brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Meqenëse neni 49 i ligjit bën fjalë për importin e mbetjeve në Shqipëri, atëherë vlerësoj se neni 49 vjen në kundërshtim edhe me objektin e ligjit, të shprehur në dispozitën parimore të tij, neni 2, pika 1.
3. Po kështu, neni 2, pika 2 e ligjit parashikon se “ligji përcakton rregullat e përgjithshme për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi dhe menaxhimi i tyre, përmes pakësimit të përdorimit të burimeve”. E konsideroj se një dispozitë e tillë është në përputhje me objektivin e krijimit të një mjedisi sa më të shëndetshëm; por neni 49 i ligjit, duke parashikuar dhe lejuar importin e mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, jo vetëm që nuk ndihmon në arritjen e këtij qëllimi, pra në parandalimin ose pakësimin e ndikimeve negative nga krijimi i mbetjeve, por ai shton edhe përdorimin e burimeve të mbetjeve.
“Shqiptarët po penalizohen nga politika”
Presidenti Topi ka reaguar dje nga qyteti i Fierit për seancën e fundit parlamentare, ku PD e PS akuzuan njëra-tjetrën për dështimin e mosmarrjes së statusit. “Kam dhënë apelin tim publik, në radhë të parë për politikën shqiptare dhe duke iu referuar prapë zhvillimeve të ditës së djeshme, tregon që fokusi kritik i Komisionit Europian dhe fokusi kritik në pozicionin tim si President u rikonfirmuan edhe njëherë dje nga ngjarjet e Parlamentit. Sot, shoqëria shqiptare po penalizohet në radhë të parë nga politika”, tha Topi. Ndërsa për kthimin e ligjit “të plehrave” në Kuvend ai tha se “duke pasur parasysh bacground-in tim akademik, mund t’ju them që është një fushë që unë e njoh shumë mirë. Ndoshta për elemente të tjera unë mund të kem nevojë për konsulencë, ndërsa për rastin konkret, përveç detyrimit për t’u konsultuar mirë në aspektin juridik për përputhshmërinë me parimet kushtetuese, për pjesën tjetër kam qenë i ndërgjegjshëm për ta kthyer, jo për të demonstruar se unë po kthej një ligj. Jo”.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











