Topi: Klasa politike t’i lërë mënjanë mllefet e retorikat boshe

Oct 4, 2011 | 11:09
Topi e McIlwham dje gjatë takimit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi se klasa politike shqiptare duhet t’i lërë mënjanë mllefet politike, retorikën boshe e debatet shterpë dhe të mendojë e të përkushtohet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit. Këtë deklaratë kreu i shtetit e bëri gjatë një takimi që pati dje në Presidencë me ambasadoren e Britanisë së Bashkuar, Fiona McIlwham. “Klasa politike shqiptare duhet t’i lërë mënjanë mllefet politike, retorikën boshe e debatet shterpë dhe të mendojë e të përkushtohet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit, si dhe integrimin dinjitoz e sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane. Shqiptarët me shumë sakrifica kanë kontribuar për imazhin e tyre si njerëz me kurajë, mbështetës dhe aspirues të vlerave demokratike dhe europiane, ndaj është në detyrimin e përfaqësuesve të popullit, institucioneve shqiptare që t’u përgjigjen këtyre standardeve”, është shprehur kreu i shtetit. Nga ana e saj, ambasadorja britanike u kërkoi forcave politike shqiptare të bëjnë hapa konkretë në rrugën e integrimit të vendit. Në javët dhe muajt e ardhshëm, ne kemi nevojë urgjente për të parë prova konkrete se edhe politikanët duan të njëjtën gjë. Të fajësosh njëri-tjetrin, nuk do të ndryshojë realitetin apo vlerësimin e BE-së për 2011-n. Një dialog konstruktiv, ndërpartiak për reformat e BE-së dhe një përparim i menjëhershëm në disa nisma apo ligje për reforma kyçe parlamentare, elektorale apo për drejtësinë, do të rrisnin perspektivën e Shqipërisë në BE. Ka disa ide të rëndësishme në tryezë. Unë shpresoj se politikanët e Shqipërisë do të shfrytëzojnë mundësinë dhe do të angazhohen. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë këto përpjekje”, është shprehur ambasadorja Fiona McIlwham.

© Panorama.al

Te lidhura