Topi: Kjo politikë nuk i duhet Shqipërisë, e refuzoj

Oct 14, 2011 | 11:26
Presidenti Bamir Topi

Pas refuzimit për të dytin vit të marrjes së statusit të vendit kandidat, reagon publikisht Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Përmes një mesazhi për qytetarët, kreu i shtetit ka kundërshtuar mënyrën se si reaguan partitë politike të mërkurën, kur ambasadori i KE-së i dorëzoi progres-raportin. “Unë dëgjova dje deklaratat politike të palëve se e pranojnë raportin dhe janë të gatshëm të reflektojnë mbi problematikën e tij. Dëgjova gjithashtu se palët politike nuk pranuan asnjë përgjegjësi konkrete, por zakonisht fajësuan palën kundërshtare për shansin e humbur të integrimit”, u shpreh Presidenti. Sipas tij, ky qëndrim nuk u duhet qytetarëve shqiptarë, të cilët ndihen të penalizuar. “Si President dhe qytetar e refuzoj këtë praktikë dhe këtë qëndrim. Kjo është ajo çfarë nuk i duhet Shqipërisë, demokracisë dhe integrimit. Kjo është ajo për të cilën qytetarët shqiptarë ndihen padrejtësisht të penalizuar. Shqipëria ka nevojë për një vizion të ri politik, për qëndrime e politika të përgjegjshme, jashtë retorikave personale e propagandistike që nuk zgjidhin, por zgjasin pa fund tranzicionin dhe shanset tona integruese”, vijoi më tej kreu i shtetit. Duke iu referuar progres-raportit, Presidenti tha se Shqipëria, shumicën e rekomandimeve të vendosura nga Komisioni Europian nuk i ka plotësuar. Ai theksoi se edhe gjatë këtij viti axhenda partiake doli përpara axhendës së integrimit të vendit. “Anëtarësimi në Bashkimin Europian është një aspiratë me interes kombëtar për Shqipërinë, ndaj edhe në momente të tilla, qytetarët dhe publiku kanë të drejtë të ndihen të braktisur nga klasa e tyre politike. Për çdo qytetar ka qenë dhe mbetet e qartë kërkesa për demokraci funksionale, për dialog e bashkëpunim intensiv e institucional midis maxhorancës dhe opozitës për reformat integruese, për forcimin e shtetit të së drejtës përmes rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura e kushtetuese”, u shpreh më tej kreu i shtetit. Topi u bëri edhe njëherë thirrje forcave politike që të lënë mënjanë axhendën partiake dhe të vazhdojnë me plotësimin e 12 rekomandimeve. Kreu i shtetit tha se politika shqiptare ka nevojë për një reflektim për të fituar kohën e humbur. “Është e qartë se në këto rrethana kërkohet një Parlament funksional dhe produktiv; një bashkëpunim intensiv në çështjet që përbëjnë interes të gjerë publik; një qeverisje më transparente dhe në shërbim të qytetarëve, veprime konkrete kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, stabilitet ekonomik e klimë reale besimi për garantimin e konkurrencës së lirë ekonomike dhe sigurimin e sa më shumë investimeve të huaja në Shqipëri”, tha Presidenti.

Apeli
Në mesazhin drejtuar qytetarëve dhe klasës politike pas publikimit të progres-raportit, Presidenti tha se “apeli im publik është se forcat kryesore politike, në vend të alibive dhe argumenteve partiake kundër palëve respektive, duhet të përqendrohen në një klimë të re dialogu e bashkëpunimi serioz, për të mbajtur realisht premtimin e dhënë dje për shndërrimin e raportit të BE-së në axhendë të aktivitetit të tyre politik”.

Reformat
“Me vullnetin politik të palëve dhe mirëfunksionimin parlamentar janë të lidhura edhe nevojat e mëdha për reforma ligjore në sistemin e Drejtësisë, sistemin gjyqësor, sektorin e administratës publike, luftën ndaj korrupsionit dhe garantimin real të parimit kushtetues të ndarjes e balancës së pushteteve. Njëherësh apeloj drejtuesit e institucioneve kushtetuese dhe të pushtetit legjislativ e ekzekutiv që me kurajë e qetësi të reflektojnë nga konstatimet nominale e institucionale të raportit, për të krijuar të gjithë klimën e besimin e duhur në evitimin e problematikave të tilla në javët dhe muajt e ardhshëm”, u shpreh Presidenti.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura