TIRANË- Presidenti i vendit, Bamir Topi ka bërë thirrje për domosdoshmërinë e shmangies së dhunës fizike gjatë fushatës, në të kundërt përgjegjësia e plotë, sipas tij do të bjerë mbi partitë dhe përfaqëesuesit e tyre. Gjatë një takimi me përfaqësues shqiptarë të Organizatës botërore kundër korrupsionit “Transparency International” dhe drejtues të Forumit shqiptar “Mendimi i Lirë”, Topi apeloi për një fushatë të qetë e qytetare.
Sipas Topit, vendi ka nevojë për realizimin me sukses të këtyre zgjedhjeve përmes një procesi të drejtë e korrekt zgjedhor dhe sipas standardeve demokratike, duke konsideruar si “të domosdoshme prezantimin e alternativave bindëse në shërbim të qytetarëve dhe uljen e tensioneve të panevojshme”.
Kreu i shtetit theksoi “nevojën e shmangies së dhunës fizike gjatë fushatës zgjedhore, e cila vjen natyrshëm pas dhunës verbale të përdorur nga disa kandidatë, sepse përgjegjësia e plotë për këto do të bjerë vetëm mbi partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre.”
Sa për transparencën e financimit të partive, një nga temat e takimit të zhvilluar, presidenti e cilësoi shumë të rëndësishme bërjen transparente të financimeve të partive politike dhe fushatës, në përputhje dhe zbatim të ligjit.
© Panorama.al











