Kthimi mbrapsht në Kuvend i projektligjit “Për menaxhimin e integruar të plehrave” ka thelluar më tej konfliktin midis Presidentit Topi dhe kryetares së Kuvendit, Topalli. Për herë të parë me një gjuhë të ashpër, kreu i shtetit iu përgjigj akuzave të Jozefina Topallit lidhur me bashkëpunimin e tij me kreun e opozitës në një celulë antieuropiane kundër integrimit të vendit. Gjatë paradites së djeshme, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen e saj pakistaneze, si reagim ndaj mosdekretimit nga Presidenti të ligjit për importimin e plehrave, kryetarja Topalli deklaroi se do të ndiqen të gjitha procedura parlamentare. “Do të ndjekim procedurat. Do të vijojmë të respektojmë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, tha Topalli.
I gjendur dje në Shkodër në një sërë aktivitetesh, kreu i shtetit theu heshtjen dhe iu përgjigj akuzave direkte që vijnë nga Partia Demokratike. “Së pari, këto zonja dhe këta zotërinj duhet të mësojnë pikërisht artin e komunikimit qytetar. Të dinë të komunikojnë në mënyrë etike sepse komunikojnë zyrtarisht me institucionin e Presidentit. Së dyti, në rast se do të dalim në një plan tjetër për definicion tjetër, spikeri përgjithësisht i merr çështjet e recitimit nga të tjerët. Është çështja sa në mënyrë cilësore e respekton tekstin. Por, minimalisht do u thosha së paku të gjithë këtyre që në komunikimet publike të jenë qytetarë dhe, e dyta, ta flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte”, theksoi Presidenti Topi.
Pak ditë më parë, kryetarja e Parlamentit u shpreh se “Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë Socialiste janë pjesë e një celule antieuropiane në Shqipëri”.
Por, reagimi i Presidentit Topi ndaj deklaratave të mëparshme të kryeparlamentares mori një tjetër përgjigje. Përmes një e-mail-i, kryetarja e Kuvendit reagoi duke thënë se është krenare që flet gjuhën e rilindësve. “Jozefina Topalli flet me krenari dhe vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni, Luigj Gurakuqi. Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot”, thuhet në reagimin e plotë të Kuvendit.
Zyra e shtypit e Presidentit iu përgjigj deklaratës së shpërndarë nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë. “Zyra e shtypit e Presidentit shpreh bindjen se po të ishin gjallë Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni dhe Luigj Gurakuqi, do të ndiheshin të fyer nga kush i përfaqëson me mungesën e etikës, kulturës politike e institucionale dhe respektin për shqipen zyrtare në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e nisur nga zyra e Presidentit të Republikës.
Plehrat, Topi: Të mos trajtohet në sfondin politik
Duke komentuar qëndrimin e tij për mosdekretimin e ligjit që i hap rrugë importimit të plehrave, kreu i shtetit, Bamir Topi, u shpreh se është e drejta e institucionit të Presidentit, në përputhje me Kushtetutën e vendit. “Mund të merrni në konsideratë që ka qenë çështja më e ndjeshme çështja e pronave. Gjykata Kushtetuese i shkoi në sintoni, sipas të drejtës së vendimmarrjes që pati Presidenti për ta kthyer. Kështu që unë u sugjeroj këtyre zotërinjve që të mos i trajtojnë në sfond politik të gjërave. President i Republikës ka të drejtën absolute kushtetuese të shprehë vullnetin e tij, aq më shumë kur ajo është argumentuar qoftë në planin juridik, qoftë edhe në planin tjetër ku Kushtetuta e detyron shtetin edhe përsa i përket pozicionit social”, u shpreh kreu i shtetit. Presidenti kritikoi edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit që, sipas tij, nuk kanë shfaqur interesin për mbrojtjen e mjedisit. “Unë nuk kam parë ndonjëherë ndonjë përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit që të jetë kaq i painteresuar për mjedisin. Do t’u thosha: orientohuni te mendimet e qytetarëve që si asnjëherë tjetër kanë qenë me një fluks të jashtëzakonshëm për ta kundërshtuar këtë ligj. Ligji është i ndërtuar në mënyrë të tillë që në pjesën më të madhe të tij është korrekt sipas mendimit tim, por i korrigjueshëm në një çështje që unë nuk e kam konsideruar për ta kaluar. Kjo është e drejta e Presidentit. Pastaj ata le ta marrin në konsideratë ose jo. Mund ta kthejnë ose ta aprovojnë”, deklaroi Topi.
Dekorimet
Presidenti i Republikës, në një ceremoni zyrtare në qytetin e Shkodrës, nderoi punën dhe kontributin e personaliteteve të shquara shkodrane në fushën e artit dhe të sportit. Kryetari i shtetit u dorëzoi Urdhrin “Mjeshtër i Madh” Ded Bregut dhe Petrit Osmanit, për kontributin e tyre në sportin e mundjes dhe basketbollit, Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, Liljana Kalleshit, Osman Mulës, Sabah Bizës, Paulin Ndojës, Zef Gjonit, si dhe Luan Borovës, pas vdekjes, për kontributet e tyre në fushën e artit dhe sportit në qytetin e Shkodrës.
Topalli-Mirza, marrëdhënie në nivel ekzekutivi
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli priti dje homologen e saj të Pakistanit, Fahmida Mirza. Gjatë takimit janë vlerësuar marrëdhëniet midis dy shteteve. “Raportet politike midis dy vendeve tona janë raporte të mira. Vizita e shkëlqesisë së saj, zonjës Fahmida Mirza sot në Shqipëri, është niveli më i lartë i këtyre shkëmbimeve politike”, u shpreh Topalli. Kryeparlamentarja e Pakistanit, duke falënderuar qeverinë shqiptare për bashkëpunimin, kërkoi që të vendoset një nivel bashkëpunimi në nivelin ekzekutiv midis dy vendeve. Sigurisht, Pakistani i vlerëson marrëdhëniet me Shqipërinë, që janë të bazuara në respektin dhe besimin reciprok. Kjo është arsyeja pse unë e kam ndërmarrë këtë vizitë me deputetet. Dua që raportet midis dy vendeve tona të kalojnë nivelin e ekzekutivit”, nënvizoi kryeparlamentarja e Pakistanit.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al












