Topi: Dialogu, detyrim kushtetues, jo lëshim

Nov 16, 2011 | 19:14

TIRANE- Dialogu politik dhe institucional është një detyrim kushtetues dhe jo një dhuratë apo lëshim, tha Presidenti, Bamir Topi gjatë një fjalimi të tij në “Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës”

Duke folur në një takim organizuar në “Universitetin e Arteve” ku merrnin pjesë diplomatë, drejtues të bashkësive fetare, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, akademikë, studentë, kreu i shtetit vlerësoi lart disa aspekte të tolerancës, ato në aspektin e marrëdhënieve midis qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare.

“Një vend me probleme që kërkojnë zgjidhje, nuk ka kohë për të humbur me konflikte boshe politike, nominale apo ideologjike. Politika ka përgjegjësinë të mos lejojë asnjëherë të shndërrohet në faktor dominues mbi qytetarët dhe interesat e tyre, por të bashkëjetojë dhe të bëhet zëdhënëse e këtyre interesave.”- tha Topi.

Presidenti, në fund të takimit bëri një apel edhe në drejtim të qytetarëve, kryesisht për brezin e ri, duke i ftuar ata që të jenë më aktivë, pasi sipas tij, “një shoqëri e shëndoshë dhe demokratike kërkon qytetarë aktivë, që respektojnë ligjin dhe mbrojnë me kurajo të drejtat e tyre, që nxjerrin mësime nga e kaluara, por nuk mbeten peng i saj, që kërkojnë tek tjetri më të mirën duke respektuar mendimet, kulturën dhe traditën e tij, dhe mbi të gjitha, që siç na mësonte Nënë Tereza, kudo në jetën e tyre në familje, në komunitet, në shoqëri dhe në institucione: ‘të bëjnë punë të vogla por me dashuri të madhe’”.

© Panorama.al

Te lidhura