
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi duke iu përgjigjur interesit të mediave turke, lidhur me një bashkim të mundshëm në të ardhmen të Shqipërisë me Kosovën, tha se bashkimi ndodh në Bruksel.
“Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete, të cilat kanë një aspiratë. Edhe Shqipëria edhe Kosova dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe në kuptimin simbolik bashkimi, unë e kam thënë vazhdimisht këtë, ndodh në Bruksel, siç do të ndodhë për të gjitha vendet e tjera. Dhe ju e dini simbolikën e Brukselit. Është edhe qendra administrative e Evropës së Bashkuar, por atje është dhe selia e NATO-s. Kështu që në të dy simbolikat Shqipëria dhe Kosova në perspektivë do të takohen, në vijim të pyetjes suaj, në Bruksel.”- u përgjigj Topi.
Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Biznesit Turko-Shqiptar, Topi iu përgjigj interesit të mediave turke. Ndër të tjera, Topi foli për mundësitë që ofron Shqipëria në turizëm, ndërsa vlerësoi edhe njëherë marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Turqisë.











