Presidenti Bamir Topi u shpreh dje nga Turqia se bashkimi mes Shqipërisë dhe Kosovës do të bëhet vetëm në Bashkimin Europian. Kreu i shtetit, pas mbledhjes së Këshillit të Biznesit Turko-Shqiptar, iu përgjigj interesimit të disa mediave vendase ku foli për rolin e Shqipërisë në rajon. “Unë e kam thënë dhe shumë herë të tjera, sepse gazetarët, pavarësisht nga njëri-tjetri, e bëjnë gjithnjë këtë pyetje, por nga unë kanë marrë gjithnjë të njëjtën përgjigje, pavarësisht se kur është bërë pyetja. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete, të cilat kanë një aspiratë”, u shpreh Topi. Sipas tij, “edhe Shqipëria, edhe Kosova dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe në kuptimin simbolik, bashkimi – unë e kam thënë vazhdimisht këtë – ndodh në Bruksel, siç do të ndodhë për të gjitha vendet e tjera. Dhe ju e dini simbolikën e Brukselit. Është edhe qendra administrative e Europës së Bashkuar, por atje është dhe selia e NATO-s. Kështu që në të dyja simbolikat, Shqipëria dhe Kosova në perspektivë do të takohen, në vijim të pyetjes suaj, në Bruksel”. Në ditën e dytë të vizitës në Turqi, Topi foli në takimin mes biznesmenëve shqiptarë dhe atyre turq, ku ripohoi se “marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona vazhdojnë të ecin në rrugën e gjatë dhe të drejtë të një miqësie të farkëtuar në shekuj nga dy popujt tanë, që begaton nga niveli i shkëlqyeshëm i marrëdhënieve politike, diplomatike dhe kulturore, që forcohet nga anëtarësia e përbashkët në NATO dhe që nxitet nga aspiratat tona të mëtejshme në lidhje me prosperitetin dhe mirëqenien ekonomike të qytetarëve tanë”.











