Parlamenti Europian u kthye dje në sallën e replikave mes kryeparlamentares Topalli dhe eurodeputetit rumun, Viktor Bostinaru.Eurodeputeti ishte i pari qe mori fjalën në konferencën dyditore për Ballkanin, që u mbajt në sallën plenare të Parlamentit Europian, duke ngritur çështjen e akuzave të kryetares së Kuvendit shqiptar. “Siç e dini, Presidenti Buzek, më 7 mars, unë ju kam informuar për një deklaratë kundër meje, anëtar i Parlamentit Europian dhe zëvendëskryetar i Delegacionit për Ballkanin Perëndimor, nga Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, e cila ndodhet këtu sot. Zonja Topalli më akuzoi me 14 shkurt në Kuvendin e Shqipërisë, duke folur nga pozicioni i saj si kryetare Kuvendi e duke më trajtuar si racist, anti-shqiptar dhe i korruptuar. Ajo shtoi edhe se unë paskam luftuar kundër regjimit të lirë të vizave për Shqipërinë. Deklarata e znj. Topalli është e pabazuar në fakte, prandaj dhe është e rëndë dhe e papranueshme. Dhe nuk më ofendon vetëm mua dhe dinjititetin tim, por edhe institucionet, vetë Parlamentin Europian. Siç e dini, zoti president, konferenca e kryetarëve e diskutoi thellë këtë çështje rreth një muaj më parë. Unë jam gjithashtu i informuar se ju z. president, nga pozita juaj më e lartë në krye të Parlamentit Europian, u përpoqët disa herë, nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe atyre jo diplomatike, ta bindni znj Topalli të rrëzojë akuzat e saj. Unë nuk dua që ta kthejmë këtë temë në një debat, pasi do të ishte e padobishme, meqë sot jemi të fokusuar në një çështje shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian e për kontinentin tonë në tërësi. Por, desha vetëm të theksoja këtë gjë në një takim të një niveli kaq të rëndësishëm”, u shpreh Bostinaru, zv-kryetar i delegacionit për Ballkanin në PE. Nga ana e saj, kryetarja e Parlamentit Shqiptare, në replikë të akuzave të bëra nga eurodeputeti rumun u shpreh se ka pasur një propozim për bllokimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. “Këtu nuk kemi të bëjmë me një incident Topalli-Boshtinari. Por ka një propozim të Bostinarit për t’i bllokuar shqiptarët, pa asnjë arsye, që të përfitojnë nga lëvizja e lirë, për t’ju imponuar atyre serish ‘Murin e Berlinit’. Dhe në mes të 3.2 milionë shqiptarëve jam unë, Jozefina Topalli, që e konsiderova për të ardhur keq këtë propozim anti-shqiptar, racist, të ulët dhe të motivuar nga interesa të ulëta. Unë nënvizoj se një propozim i tillë, ‘alla Caushesku’, është qartësisht i sponsorizuar nga qarqet anti-shqiptare. Ky është realiteti. Nëse çdokush ofendohet nga realiteti, atëherë falsiteti nuk i përket as realitetit, as 3.2 milionë shqiptarëve dhe aq më pak Jozefina Topallit”, ishte përgjigjja e kryeparlamentares Topalli.











