Topalli: Topi e Rama celulë antieuropiane, kreu i PS: Po, nëse Jozefina është Monroe

Oct 15, 2011 | 10:14
Topalli e Osvald

Rama: Nëse unë jam antieuropian, Topalli është Marelyn Monroe

Maxhoranca përshkallëzon sulmin ndaj kreut të shtetit, Bamir Topi. E pyetur nga gazetarët nëse Presidenti Topi dhe kryesocialisti Rama kanë të bëjnë me celulën antieuropiane, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pohuar duke thënë “po”. Ajo shfrytëzoi takimin me homologun e saj gjerman ku deklaroi se Presidenti Topi ka bashkëpunuar gjatë këtyre viteve me liderin socialist, Edi Rama. “Natyrisht, e kam lexuar raportin dhe në mënyrë shumë të veçantë për çështjet e Drejtësisë, Gjyqësorin dhe për korrupsionin e madh që ka aty brenda.  Përsa i takon arsyes për të cilën nuk është marrë statusi i vendit kandidat, bojkoti dhe bllokimi. Unë i kam parë gjithmonë bashkë, zotin Topi dhe zotin Rama, gjatë gjithë këtyre viteve”, deklaroi Topalli. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryesocialistit Rama. “Nëse Presidenti dhe unë jemi një celulë antieuropiane, atëherë Jozefina është Marelyn Monroe, kurse Saliu, John Lennon”, ka deklaruar kreu i PS-së në adresën e tij në Twitter.  Sipas nënkryetares së PD-së, opozita dhe lideri i saj, Rama, ia arriti qëllimit duke ndihmuar në bllokimin e statusit. “Si kryetare e Parlamentit kisha një dhimbje të madhe. Unë mendoj se bojkoti ia ka arritur qëllimit. Zoti Rama ka pasur plotësisht të drejtë, bojkoti ia ka arritur qëllimit dhe e ka lënë Shqipërinë pa status. Të paktën e ka vonuar statusin. Si kryetare e Kuvendit ndiej dhimbje”, tha ajo. Kryetarja e Kuvendit fajësoi opozitën për bllokimin e statusit të vendit kandidat për shkak të mosvotimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. “Ka ligje të tjera me 3/5, por as dje opozita nuk e votoi ligjin për Gjykatën Administrative. Po me Kodin Rrugor çfarë kanë? Ky është një problem që e kemi ne shqiptarët, por ne jemi këtu se ka pasur një strategji për të arritur këtu dhe unë mendoj se ia ka dalë, bojkoti ia ka arritur qëllimit, e la Shqipërinë pa status”, tha Topalli.
Kryetarja e Kuvendit kërkoi prej opozitës ngritjen e një komisioni ad hoc për reformën zgjedhore për fillimin e punës me 53 rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Mungesa e vullnetit, sipas kryetares së Kuvendit, ka bllokuar edhe heqjen e imunitetit për deputetët, ligj që kërkon 84 vota. “Unë kam në rend të ditës Avokatin e Popullit. Po pres, por përgjigje nuk ka. Unë kam në rend të ditës ligjin për heqjen e imunitetit. Nuk kalon me 71 vota, pavarësisht se deputetët e maxhorancës kanë bërë deklaratë me modelin gjerman për të mos i njohur vetes imunitet”, tha Topalli. Duke përmendur ligjet që Parlamenti ka miratuar vetëm me votat e maxhorancës, Jozefina Topalli u shpreh se gjatë këtyre dy viteve kanë kaluar 400 ligje dhe se nuk janë miratuar nga Legjislativi vetëm katër projektligje që varen prej qëndrimit të opozitës.          l.t

© Panorama.al

Te lidhura