Topalli, Peters: SHBA, aleat i madh i demokracisë

Nov 12, 2011 | 13:11

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka vlerësuar rolin e padiskutueshëm të ShBA, duke i quajtur një aleat të pazëvendësueshëm të demokracisë shqiptare. Deklarata u bë sot gjatë takimit me kongresmenin Gary Peters, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Topalli  vlerësoi mbështetjen amerikane për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Ky anëtarësim, tha Kryetarja e Kuvendit, ishte një nga ngjarjet më kulmore për Shqipërinë dhe partneriteti ynë në Aleancën e Veriut është shumë i rëndësishëm”- tha ajo, duke falënderuar edhe për mbështetjen që është dhënë për pavarësinë e Kosovës, në shërbim të paqes dhe stabilitetit rajonal.

Ajo shprehu interesin për thellimin e bashkëpunimit dhe marrjen e praktikave më të mira të legjislacionit dhe procedurave të hapura, transparente dhe demokratike të Shteteve të Bashkuara.

Duke shprehur të njëjtin interes për rritjen e shkëmbimeve ndërparlarmamentare, kongresmeni Peters theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë mbështetjen e gjithanshme  për  Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

© Panorama.al

Te lidhura