Tomori, në stërvitje me autobus linje

Oct 17, 2011 | 11:46
Tomori në stërvitje

Tomori mund të cilësohet edhe si skuadra me dy standarde në këtë sezon futbollistik. Të detyruar të zhvillojnë stërvitje jashtë qytetit të Beratit, në një fushë aviacioni që ndodhet në qytetin e Kuçovës, futbollistët beratas duhet të përballojnë edhe një udhëtim që nuk është aspak i këndshëm. Pavarësisht protestave të shumta të tifozëve, Bashkia e qytetit të Beratit nuk ka ndërmarrë asnjë hap për rregullimin e fushës së stadiumit të vjetër, ku ekipi mund të zhvillonte stërvitje. Kështu, spostimi i saj drejt qytetit fqinj, Kuçovës, ka sjellë edhe një sërë problemesh për këtë skuadër. Çdo ditë futbollistët beratas transportohen drejt fushës stërvitore me një autobus urban, nga ata të cilët në kryeqytet përdoren rëndom në linjën Kombinat-Kinostudio dhe janë në gjendje të mjerueshme. Një mjet i tillë transporti është vënë në përdorim të skuadrës nga Bashkia e qytetit, duke e quajtur këtë problem të zgjidhur. Mirëpo, nuk mbaron këtu. Futbollistët e Tomorit janë të detyruar që çdo ditë, për 26 kilometra në vajtje dhe 26 në kthim, të qëndrojnë edhe në këmbë, pasi një autobus i tillë nuk ka vend për të gjithë lojtarët dhe stafin teknik. Duket se Bashkia nuk e ka parë të arsyeshme të marrë një autobus normal dhe që të përfaqësojë denjësisht skuadrën e Tomorit edhe në procesin stërvitor, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një ekip që militon në Superiore. Nëse gjatë gjithë javës u duhet të udhëtojnë në kushte të mjerueshme, në fundjavë gjithçka ndryshon për lojtarët, të cilët mund të udhëtojnë drejt destinacionit të tyre, kur kanë ndeshje në transfertë, me një autobus normal dhe që mban stemën “Osumi Travel”, ose më thjesht që është pronë e ish-presidentit beratas, Ali Dyrmishi.

Skënderbeu/Zeqo do 30 gola nga Xhafaj e Muzaka
“Daniel Xhafaj dhe Gjergj Muzaka duhet të shënojnë të paktën 30 gola së bashku, për Skënderbeun”. Ky është mendimi i numri një të presidencës korçare, Agim Zeqo, i cili kërkon t’u japë zemër të tijve, të cilët nuk po shpërthejnë. Sulmi i Skënderbeut vazhdon në ngërç të plotë, ndërsa Xhafaj dhe Muzaka mbeten sërish si “memecë” në fushën e lojës. Reparti ofensiv edhe në takimin Skënderbeu-Kamza nuk ka prodhuar gola. Ja se si shprehet në lidhje më këtë, numri një i presidencës, Agim Zeqo. “Duhet të kishim marrë patjetër tri pikë në ndeshjen që zhvilluam të shtunën në shtëpi ndaj Kamzës. Sulmi është në një ngërç të plotë, por pavarësisht kësaj, jam i bindur se Xhafaj dhe Muzaka do TV shpërthejnë. Këta lojtarë, të dy bashkë, kanë realizuar gati 30 gola vitin e kaluar, dhe po kaq kanë për të bërë edhe këtë vit me Skënderbeun. Na duhen edhe pak ditë që ekipi të ambientohet me skemat e reja dhe me metodikën e trajnerit çek”, ka theksuar në një prononcim për “Panorama”, presidenti i kampionëve.

Vllaznia/Vajushi: Absurde, na çoroditi goli
Ka qenë një bast nën zë jo me para, por me drekë, ai që dyshja shkodrane e ekipit kombëtar Shpresa kishin vënë mes tyre. Armando Vajushi e Bekim Bala ishin të bindur se skuadrat e tyre do të fitonin në “Loro Boriçi”, por në fund janë ndarë me një barazim. Megjithatë, kjo nuk duket se është shqetësuese për sulmuesin Armando Vajushi, pasi fitorja ndaj Tiranës kishte më tepër rëndësi. Lodhja nga rruga që kanë pasur dy lojtarët, që kanë mbërritur vetëm dy ditë para takimit pranë ekipeve të tyre, ka bërë ndoshta që të mos shkëlqenin në këtë përballje. “Jam ndjerë vërtetë keq që nuk kemi arritur të fitojmë në atë takim. Për mënyrën se si rrodhën ngjarjet, e kemi humbur për fajin tonë. Natyrisht që nuk jam aspak i kënaqur edhe me performancën time në këtë përballje, por udhëtimi rraskapitës nga Polonia, vetëm pak orë para fillimit të takimit, ka bërë të vetën. Për këtë dua t’iu kërkoj ndjesë tifozëve tanë të mrekullueshëm”, është shprehur Vajushi.

Hyka-Sadiku, gola kuqezi në Zvicër
Jahmir Hyka dhe Armando Sadiku shkëlqejnë në Zvicër, duke u bërë kështu protagonistë edhe në kompeticionin e Kupës së këtij vendi. Mesfushori i Kombëtares shqiptare dhe sulmuesi i Shpresave kanë shënuar dje për skuadrat respektive. Hyka ka zhbllokuar rezultatin e ndeshjes që në minutën e 3-të kundër Grand Lesit, ndeshje të cilën Luzerna e tij e fitoi me rezultatin 3-1 në transfertë dhe siguroi kualifikimin. Hyka ka realizuar një gol shumë të bukur, teksa pas një aksioni të qetë të Luzernës, mesfushori i gjendur para zonës ka tentuar një gjysmëkthese nga vendi (i ngjashëm me golin e fundit në Kombëtare), duke kapur në befasi portierin e skuadrës kundërshtare. Ky ishte goli i tretë me fanellën e Luzernës për Hykën dhe i dyti në Kupën e Zvicrës. Ndërkaq, bomberi Sadiku realizoi golin e vetëm të Lokarnos kundër Vilit në barazimin 1-1.

Roshi-Lala, nuk ka derb në Gjermani
Odise Roshi luajti vetëm tri minuta në ndeshjen e djeshme me skuadrën e tij Këln, ndaj Hanoverit të Altin Lalës. Lojtari shqiptar u fut si zëvendësues në minutën e 87-të, kur takimi ishte 2-0 për vendësit. Ndërsa Lala ishte në stol, por nuk u aktivizua për asnjë moment. Sakaq, Këlni fitoi falë dopietës së Podolskit në minutën e 4-t dhe 86-të. Ndërkohë, duhet theksuar se ndeshja u karakterizua nga një lojë e ashpër, aq sa arbitri nxori shtatë kartonë të verdhë për të dyja skuadrat. Ndërsa në kampionatin azerbajxhanas, Karabaku i Admir Telit dhe Ansi Agollit barazoi 1-1 në transfertë ndaj Ravan Baku, dhe Khazar Lenkoran i Elvin Beqirit fitoi 1-0 ndaj Simurq. Që të tre lojtarët shqiptarë luajtën në këto takime, ndërsa mungoi vetëm Bulku te Azali, pasi është ende i dëmtuar.

© Panorama.al

Te lidhura