Tom Holland propozon pasuesin e ri të Spider-Man: Owen Cooper do të ishte zgjedhja perfekte

Jun 17, 2026 | 17:48

Aktori britanik Tom Holland ka sugjeruar një emër për ta pasuar në rolin e Spider-Man, duke propozuar të riun Owen Cooper si zgjedhjen ideale për superheroin e famshëm.

tom_holland

Holland, i cili prej vitesh interpreton Peter Parker në universin kinematografik të Marvel, ka lënë të kuptohet se në të ardhmen synon të largohet nga ky rol ikonik. Në një intervistë për revistën “Esquire”, ai u shpreh se 16-vjeçari Cooper do të ishte një zgjedhje e shkëlqyer.

“Owen Cooper do të ishte fantastik. Është jashtëzakonisht i talentuar dhe aktualisht shumë i komentuar”, deklaroi aktori.

Owen Cooper fitoi vëmendje të gjerë nga publiku falë rolit të tij si Jamie Miller në mini-serialin e Netflix “Adolescence”, një dramë e vlerësuar me çmime Emmy, ku ai interpreton një adoleshent të akuzuar për vrasjen e një shoqeje klase.

Ndërkohë, Holland, i cili pasoi në rolin e Spider-Man aktorët Tobey Maguire dhe Andrew Garfield, është në prag të publikimit të filmit të katërt të sagës. Ai ka shprehur gjithashtu dëshirën që të mbetet pjesë e projektit si producent.

Sipas tij, do të donte të ndihmonte dhe udhëzonte aktorët më të rinj, duke ndjekur shembullin e Robert Downey Jr. në Marvel Cinematic Universe.

Vlen të theksohet se edhe vetë Owen Cooper ka shprehur publikisht dëshirën për të luajtur Spider-Man. Në një intervistë të dhënë për revistën “i-D” në muajin mars, ai ishte shprehur hapur: “Dua të luaj Spider-Man”.

© Panorama.al

Te lidhura