Tokat pranë Spillesë, ku u shkel ligji për kthimin

Oct 16, 2011 | 11:58
Tokë pranë bregdetit të Spillesë që i është kthyer familjes Jenisheri

Zbulohet vendimi i AKKP-së në vitin 2008, që i ka ligjëruar familjes Jenisheri kthimin e brezit ranor në vend të tokës bujqësore, si dhe zhvendosjen e pronës nga një fshat në tjetrin. Bëhet fjalë për 42 dynymë të kthyeshëm dhe 5 të njohur si pronë, por të pakthyeshëm, që deri në mesin e vendimit shkruhet se ndodhen në fshatin Greth të komunës Kryevidh, ndërsa në fund ato shfaqen krejt papritmas në fshatin Vilë-Bashtovë të komunës Gosë. Po kaq papritmas ndryshon qëndrim edhe Drejtoria e Shërbimit Pyjor Kavajë, që pasi verifikon në terren mospërputhje me të dhënat e ZVRPP Kavajë, sërish bie dakord për kthimin e kësaj sipërfaqjeje toke. Duke lexuar të plotë këtë vendim, befasi të tilla dalin rresht pas rreshti, që nga fakti se si një mendim i kryekomunarit kthehet në ekzekutim e deri te subjekti i shpronësuar, Neime Jenisheri, që rezulton me dy atësi…
Perplasja
Fillimisht në vendim flitet për kërkesën me objekt njohjen dhe kthimin e sipërfaqes totale të pasurisë së pretenduar prej ST-47000 metra katror, e ndodhur aktualisht në fshatin Vilë-Bashtovë, komuna Gosë, Kavajë, ndërsa me dokumentacion rezulton në: “Kërkesa bazohet në dy vërtetimet hipotekore me nr.145/14, vol.1938-41, datë 07.02.1939, lëshuar nga ZVRPP Kavajë (të dyja pronat janë të shënuara në të njëjtën fletë regjistri), në të cilin figuron e regjistruar në pronësi të Neime Hysni Jenisherit, e bija e Muz-Har Alltunit (del me dy atësi) me të dhënat e mësipërme, një sipërfaqe toke prej 35 dynymësh, e ndodhur në katundin Greth të Kavajës me këto kufizime: Emlaqi, trashëgimtarët e Ahmet Agës, Rustem Kërkizi, regjistrue në nr.43, datë 1315 allaturka dhe një sipërfaqe prej 12 dynym tokë e ndodhur në katundin Greth të Kavajës me këto kufizime: Nuri Beu, Jusuf Aga, Vakufi, regjistrue në nr.44, datë 1315 allaturka”. Pas kësaj, fjalën e ka Drejtoria e Shërbimit Pyjor Kavajë: “Në lidhje me pronën e pretenduar nga subjekti i shpronësuar, Jenisheri, ju sqarojmë se pas verifikimit në terren, rilevimit topografik të saj, ku nga matjet e kryera nga specialistët e ZRKKP qarku Tiranë dhe në krahasim me dokumentacionin e administruar rezultoi se: Parcela me sipërfaqe S-35000 metra katror, ndryshe nga ç’ka konfirmon ZVRPP Kavajë, e cila citon se është në zërin kadastral ranishte, kjo parcelë aktualisht në terren paraqitet e zënë me bimësi të ulët në pjesën veriore dhe pjesërisht pyll të ulët, kryesisht pishë dhe shkurre në pjesën qendrore dhe jugore të saj. Ndërsa në pjesën lindore, ajo shtrihet pjesërisht e zënë me pellgje uji, që sipas gjendjes juridike të ZVRPP, konfirmohet me nr.395 pasurie në zërin kadastral “kanal”. Kjo pasuri, në kufirin perëndimor kufizohet me brezin ranor, i cili ka një gjerësi në pjesën veriore, përreth 50 metër dhe në pjesën fundore, rreth 90 metër. Në këtë parcelë sipërfaqja e mundshme dhe e lirë për kthim është 30242 metër katror, ndërsa pjesa tjetër SK 4758 metër katror paraqitet e zënë pjesërisht brez ranor dhe kanali kullues, të cilat nuk mund t’u kthehen kërkuesve. Parcela me sipërfaqe S-12000 metra katror, ndryshe nga ç’ka konfirmon ZVRPP Kavajë, e cila e citon këtë parcelë në zërin kadastral ranishte, në terren rezulton bimësi me pyll, pishë dhe shkurre. Ajo paraqitet pjesërisht e zënë nga kanal kullues me sipërfaqe 115 metër katror, ndërsa pjesa tjetër me sipërfaqe 11885, është e lirë dhe e mundshme për kthim në natyrë. Siç u theksua edhe më sipër, nga krahasimi i hartës treguese me të cilën është konfirmuar gjendja juridike e pasurisë së pretenduar nga ZVRPP Kavajë dhe gjendjes në terren të pronës, rezultoi një mospërputhje e zërave kadastralë të pasurive me objekt kërkimi, ku konkretisht, sipas konfirmimit të ZVRPP, pasuria e pretenduar konfirmohej në zërin kadastral ranishte, ndërkohë që në terren ajo paraqitet e zënë nga bimësi e ulët me shkurre dhe pjesërisht pishë. Në lidhje me këtë mospërputhje, nga grupi i punës, më datë 04.09.2008, u krye rilevimi i pronës në terren, nga ku u arrit në konkluzionin e cituar më sipër, ç’ka pasqyrohet qartësisht në planvendosjen bashkëlidhur këtij vendimi” (shihni faksimilen).
Zhvendosja
Deri këtu po flitej për tokën në fshatin Greth të komunës Kryevidh. Krejt papritur, vendimi merr kthesë dhe në vijim të shkresës, sipërfaqja në total prej 42 dynymësh (e kthyeshme dhe rreth 5 dynym e pakthyeshme) transferohet në fshatin tjetër të një komune tjetër, në Vilë-Bashtovë të Gosës. Për të bërë këtë zhvendosje janë përdorur dy opinione, që siç duket janë marrë si “prova” për ligjërimin e kthimit. I pari, është një mendim i ish-kryetarit të komunës Gosë, i cili pasi bën një rezyme për tokën e Vilë-Bashtovës, sugjeron: “Meqe-nëse është e lirë, jemi të mendimit që të trajtohet nga zyra juaj (ZRKKP Tiranë) që t’u rikthehet ish-pronarëve, të cilët e pretendojnë këtë pronë”. Opinioni i dytë ka ardhur nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor Kavajë, që pavarësisht se thekson gjatë gjithë raportit të saj se ka mospërputhje në terren me të dhënat e ZVRPP Kavajë, në fund hamendëson “kjo gjendje vjen për shkak se zona kadastrale 3774 Vilë-Boshtovë Kavajë nuk është futur në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.

47 dynym
Është sipërfaqja e tokës së kthyer familjes Jenisheri në Vilë-Bashtovë, 3 vite më parë nga AKKP-ja. Por, kufizimet e pronës së vjetër nuk përputhen me pronën e kthyer nga Komisioni. Harta me të cilën është pasqyruar prona e kthyer është ajo e vitit para 1991, e jo sipas hartës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë

Si u zbulua skandali i tokave në bregdet
Skandali u përfol institucionalisht një vit më parë nga autoritetet lokale të komunës Gosë, ndërsa këtë javë u denoncua në gazetën “Panorama”. Me anë të një shkrese zyrtare, kryetari i Këshillit të Komunës, Agron Dema, kryeplaku i fshatit, Vilë Ballaj Idriz Thaçi, sekretari i Këshillit të Komunës, Eqerem Deliu (kryetari aktual) dhe agronomi i komunës, Myzafer Xhelili, vunë në dijeni kabinetin e Kryeministrit dhe ministrin e Drejtësisë së asaj kohe, Bujar Nishanin.

Trashëgimtarët, 2 femra marrin tokat
Tokat pranë bregdetit të Spillesë duket se i trashëgojnë stërnipat e subjektit shpronësues, Neime Jenisheri. Konkretisht, dy femra. Duke qenë se ajo nuk jeton më, prona i njihet, i kthehet apo kompensohet trashëgimtarëve ligjorë të saj, të cilët me vendimin nr.508, datë 22.02.1995, të Gjykatës së Rrethit Durrës, është çelur trashëgimia ligjore për trashëgimlënësit Masar Alltuni, Deftere Alltuni dhe Neime Jenisheri, duke njohur si trashëgimtarë ligjorë të tyre Ferzilet Spahiu dhe Minerva Jenisheri.

Për tokat e tjera në bregdet, kompesim
AKKP përveçse i ka kthyer 42 dynymë familjes Jenisheri, i ka njohur asaj edhe 5 dynymë të tjerë. Kjo sipërfaqe do t’i kompensohet financiarisht trashëgimtarëve ligjorë të familjes me kalimin e viteve. Arsyeja e moskthimit në terren ka të bëjë me faktin se kjo sipërfaqe toke, e ndarë në dy parcela, ka rezultuar e zënë. Vendimi për sipërfaqen totale prej 47 dynymësh është firmosur nga AKKP-ja më 10.09.2008, nga drejtori i ish-ZRKKP, Bledar Dervishaj.

Reagimet zyrtare
Një ditë pas zbardhjes së skandalit në gazetë, me anë të letrës zyrtare të kryekomunarit të Gosës, Eqerem Deliu, edhe kreu i komunës Kryevidh, Fatos Kaja, denoncoi vendimin e AKKP-së. Pas tij, reagoi vetë drejtori i AKKP-së, Elvis Çefa, i cili sqaroi pozicionin e institucionit që drejton për këtë vendim, por edhe veten e tij. “Vendimi është marrë në vitin 2008, kur unë nuk kam qenë në krye të AKKP-së”, tha Çefa, ndërsa theksoi se aktualisht kjo çështje nuk mund të ankimohet më në AKKP, pasi është e ndaluar
me ligj nga Kushtetuesja në vitin 2010.

KORCE: Pronat, një familje apel për ndihmë
KORCE- Jeta e 3 anëtarëve të një familje në fshatin Sovjan të Korçës po rrezikohet çdo ditë e më tepër, si pasojë e një konflikti pronësie me disa të afërm të tyre. Këtë fakt e bëri të ditur dje kryefamiljari Bujar Xhepo, i cili i bën apel policisë të ndërhyjë në kohë, sa nuk është shkaktuar ndonjë tragjedi. Sipas tij, zanafilla e konfliktit është shënuar 2 vite më parë, ku mes tij dhe nipit të tij 23-vjeçar kanë nisur diskutimet për një parcelë toke. Pretendimi i pronësisë nga ana e nipit për këtë sipërfaqe toke, e cila rezulton të jetë në pronësi të Bujar Xhepos me dokumente përkatëse, ka sjellë jo vetëm debate mes palëve, por edhe dhunimin fizik të Bujarit, gruas së tij dhe djalit 19-vjeçar. 46- vjeçari pohoi se është dhunuar me mjete të forta nga nipi i tij dhe ka përfunduar 5 herë në gjendje të rëndë në spital. Rasti më i fundit ka ndodhur dy javë më parë, kur 23- vjeçari Mariglen Xhepo dhunoi bashkë me të kunatin, 46-vjeçarin dhe djalin e këtij të fundit.                              dh.d

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura