TIRANE – Qeveria bëri dje ndryshime në ligjin për noterinë duke i detyruar zyrat noteriale që veprimet financiare t’i bëjnë përmes bankave. Projektligji në nenin 1 të tij ndryshon ligjin e mëparshëm dhe urdhëron që noteri të ketë llogari në bankë për veprimet financiare që kryen. Drafti e ngarkon noterin që të paraqesë për regjistrim, brenda afatit të përcaktuar me ligj, me pëlqimin e palëve, aktin noterial për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme, pranë zyrës që administron regjistrin elektronik, ku ndodhet pasuria e paluajtshme”. Në nenin 26 të ligjit aktual si pjesë e punës së noterit shtohet “shërbimi noterial i regjistrimit të akteve për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në nenin 49 të ligjit aktual, shtohet një paragraf, që e ngarkon noterin me përgjegjësinë e verifikimit të pronësisë për pasurinë e paluajtshme që shitet/blihet nga palët para noterit. “Në rastet e tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme tregohet verifikimi i noterit në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, si dhe mënyra e derdhjes së çmimit të tjetërsimit në llogarinë bankare të tij. Procedura teknike për derdhjen e pagesës përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave”, thuhet në projektligj. Qeveria përcakton se akti noterial për tjetërsimin ose njohjen e pronësisë mbi sendet e paluajtshme ose të një të drejte reale mbi to kryhet nga noteri, pasi të ketë verifikuar pronësinë e palës mbi sendin e paluajtshëm.











