Ligji i ri për arsimin parauniversitar do të kategorizojë mësuesit ndryshe nga më parë, sipas kualifikimit.Ministria e Arsimit ka tashmë gati draftin final, i cili pritet të marrë shumë shpejt miratimin e Këshillit të Ministrave. Kanë përfunduar konsultimet me grupet e interesit dhe janë bërë korrigjimet përkatëse në draft. Duke filluar që prej vitit të ardhshëm, pas testimit për të marrë shtesën në pagë, ata do të marrin edhe tituj. Në projektligjin e ri sanksionohet se sipas shkalleve të karrierës dhe viteve të punës, mësuesit do të jenë të ndarë në mësues i kualifikuar, mësues specialist dhe mësues mjeshtër. Projektligji i arsimit të lartë, parashikon se numri minimal i krediteve për të aplikuar për një shkallë kualifikimi, si dhe procedurat e provimit të jashtëm për ta përfituar shkallën e kualifikimit, do të përcaktohen me udhëzim të Ministrisë së Arsimit. “Një shkallë kualifikimi shoqërohet me një shtesë në pagë, masa e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligj. Pra, shtesa në pagë që aktualisht varion nga 5-20%, mund të ketë ndryshime në vijim. Aktualisht, shkallët e karrierës së mësuesve janë me numra, pra me kohëzgjatjen e tyre. Kështu, shkalla e tretë e karrierës përkon me kohëzgjatjen si arsimtar nga 5 deri në 9 vjet, shkalla e dytë e kualifikimit nga 10 deri në 19 vjet dhe shkalla e parë, nga 20 e më shumë vjet. Ndërsa me ligjin e ri që pritet të miratohet shumë shpejt, do të ketë emërtime me tituj. Kështu, ” mësues” do të jetë titulli i arsimtarëve, të cilët sapo kanë marrë diplomën universitare të mësuesisë. Më tej, “mësues i licencuar” do të titullohen ata arsimtarë që kanë bërë 5 vite punë dhe kanë aplikuar për shkallën e tretë të karrierës, “mësues specialistë” për shkallën e dytë dhe “mësues mjeshtër” për shkallën e parë. Pas titullit “mësues mjeshtër”, mësuesi do të ketë detyrimin të ndjekë disa module që kanë të bëjnë me të rejat e domosdoshme shkencore të mësimdhënies – mësimnxënies. Pak javë më parë, më shumë se 2700 mësues iu nënshtruan testimit për shtesën në pagë. Rezultatet pritet të dalin gjatë këtyre ditëve. Vitet e kaluara, dhjetëra mësues e kanë kaluar testin me paterica. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se në rast se nuk kalojnë siç duhet testimin, do të rishikohet edhe pozicioni i punës së tyre.
Titujt e rinj
“Mësues i kualifikuar”
“Mësues specialist”
“Mësues mjeshtër”
Provim shteti për mësuesit
Për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit, mësuesit do të duhet të japin provimin e shtetit. Urdhri i mësuesit është një strukturë e re që do të ngrihet shumë shpejt e në të duhet të regjistrohen të gjithë arsimtarët. Projektligji i arsimit të lartë parashikon të gjitha detajet, që nga formimi fillestar i mësueseve ushtrimi i profesionit të tyre, të drejtat e detyrat si dhe kushtet e emërimit dhe të shkarkimit nga detyra. “Mësuesi në arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare, “Bachelor”, në fushën e edukimit mësuesi në arsimin fillor dhe në arsimin e mesëm duhet të ketë fituar diplomën “Master i Shkencave” në fushën e edukimit ose diplomat e një vlershme me to”, thuhet në projektligj. Për herë të parë ligji parashikon të drejtën e një drejtuesi shkolle që, me fondet e siguruara nga dhurimet ose sponsorizimet, të punësojë me kohë të plotë ose të pjesshme mësues ndihmës për klasa të caktuara për nxënësit me vështirësi në të nxënë ose mësues dhe specialiste për lëndët/modulet me zgjedhje.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











