Tiranës i shtohen borxhlinjtë. Mësohet se pas Sulejman Starovës, edhe dy ish-lojtarë të skuadrës kanë ngritur padi ndaj saj për t’u shlyer financiarisht. Klubi bardheblu i detyrohet një shumë prej 13.400 eurosh mbrojtësit Ivan Gvozdenoviç dhe 9.900 euro boshnjakut Mlladen Zizoviç. Ish-futbollistët sllavë të kryeqytetasve i shtohen listës personale të atyre që Tirana i ka borxhe. Pas ish-trajnerit Starova, i cili pasi ka pritur për muaj të tërë, ka vendosur që t’u drejtohet organeve juridike në FSHF (Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve) për të marrë atë që pretendon. Bëhet fjalë për 7 muaj të pashlyer, në total për 30 milionë lekë të vjetër. Në seancën e zhvilluar të enjten nga DHZK, janë trajtuar që të tria çështjet dhe në të njëjtën kohë janë informuar edhe drejtuesit bardheblu. Këta të fundit kanë kërkuar shtyrje të marrjes së vendimit, ndaj, sipas të gjitha gjasave, në seancën e radhës, e cila do të mbahet të mërkurën në orën 17:00, do të jepet vendimi. Pasi klubi t’i shqyrtojë me detaje të tria këto raste, do të ndërmarrë dhe masat e nevojshme. Megjithatë, në rast se verdikti do të jetë në favor të paditësve, atëherë klubi duhet të përgatitet që të nxjerrë nga arka plot 62 milionë e 800 mijë lekë të vjetër. Kujtojmë që Ivan Gvozdenoviç e pat paralajmëruar që në muajin korrik Tiranën se do ta hidhte në gjyq. Mbrojtësi serb, i cili sezonin e fundit e mbylli te bardheblutë, pretendon se klubi i detyrohet rreth 13 mijë euro. Megjithatë para se të ndërmerrte këtë hap, ai dërgoi një letër në adresë të bardhebluve, ku u ka bërë me dije ankesën që kishte. Por duke qenë se klubi nuk reagoi pozitivisht, serbi u detyruar që këtë çështje ta dërgonte në organet juridike.
Ndeshjet e Superiores
Sot
Pogradeci-Dinamo 14:00
Shkumbini-Tomori 15:00
Kamza-Apolonia 15:00
Nesër
Laçi-Skënderbeu 15:00
Kastrioti-Vllaznia 13:00
Tirana-Flamurtari 17:00
Të hënën
Teuta-Bylis 18:00











