Tiranë, zjarri shkrumbon 40 dyqane

Nov 22, 2011 | 9:27

Policia e zjarrfikësit, katër orë betejë me flakët, dyshohet se shkak ishte shkëndija elektrike. Flakët te Unaza e Re rrezikojnë karburantin dhe bombolat e gazit

Rënia e zjarrit shkrumboi edhe 40 dyqane përreth magazinës ku u shpërndanë flakët. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, kur në magazinë u panë flakët e para që dilnin nga brenda tregut ushqimor, që ndodhet pranë Qytetit të Nxënësve, në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Për shkak të lëndëve plasëse që kanë në përbërje fishekzjarrët, flakët u përhapën me shpejtësi dhe herë pas here zjarri i fuqishëm është shoqëruar me shpërthime që e bënin situatën edhe më alarmante dhe të rrezikshme. Një orë pas rënies së zjarrit situata doli jashtë kontrollit, duke rrezikuar një dyqan me bombola gazi dhe karburantin që ndodhej pranë tregut. Për këtë arsye, puna e zjarrfikëseve u përqendrua në lokalizimin e zjarrit në vatrën ku kishte rënë, duke shmangur kështu një shpërthim të fuqishëm që mund të kishte sjellë karburanti dhe bombolat e gazit.
OPERACIONI
Operacioni për shuarjen e flakëve zgjati rreth 4 orë dhe u përdorën 30 makina zjarrfikëse nga Tirana e Durrësi dhe autobote të Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve. Në orën 19:00 u konfirmua se zjarrfikësit mundën të lokalizojnë flakët dhe të mbajnë nën kontroll të plotë zjarrin e fuqishëm. Pranë vendit të ngjarjes mbërritën ambulanca, forcat speciale RENEA, si dhe një makinë ushtrie, për të qenë në gatishmëri në rast se situata do të dilte jashtë kontrollit. Por, fatmirësisht, përveç dëmeve të shumta materiale, nuk pati asnjë person të plagosur, as nga ana e tregtarëve e banorëve, dhe as nga forcat zjarrfikëse dhe të policisë. Operacioni u ndoq nga afër nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe zëvendësministri Ferdinand Poni. Aksioni është ndjekur edhe nga kreu i Bashkisë, Lulzim Basha dhe prefekti i qarkut, Keltis Kruja.
HETIMET
Këqyrja e vendit të ngjarjes, vatrës ku ra zjarri dhe vlerësimi i dëmeve materiale është parashikuar të kryhet paraditen e sotme, për shkak se mbrëmë errësira e bënte të pamundur kryerjen e hetimeve. Gjatë gjithë natës mbrëmë janë marrë në pyetje tregtarët që ushtronin bizneset e tyre, në mënyrë që edhe ata të japin një bilanc paraprak të dëmeve që mund të ketë shkaktuar zjarri. Ndërsa zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, në një prononcim për mediat pas përfundimit të operacionit, deklaroi se “për shkak të fishekzjarrëve që ishin magazinuar për Vitin e Ri, apo edhe lëndëve të tjera, situata në hyrje të tregut dhe në brendësi ishte jashtëzakonisht e rrezikshme. Tregu nuk është djegur plotësisht, fatmirësisht nuk ka as persona të plagosur. Për nga natyra dhe rrezikshmëria që kishte zjarri, nuk mund të them që zgjati shumë operacioni për shuarjen e tij, madje them që zgjati më pak nga çfarë kishim parashikuar. Zjarri dyshohet të jetë shkaktuar edhe për shkak të brishtësisë që ka malli, në këtë rast fishekzjarrët, ndoshta edhe ndonjë pakujdesi njerëzore, apo edhe shkaqe të tjera që është herët t’i themi që tani”, deklaroi Pone.

Nishani, Basha e Tahiri në vendngjarje
Operacioni për shuarjen e zjarrit në Tregun Ushqimor pranë Qytetit të Nxënësve është ndjekur nga afër nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani, kryebashkiaku Lulzim Basha, prefekti i Tiranës Keltis Kruja, madje edhe nga deputeti socialist Sajmir Tahiri, që përfaqëson në Parlament zonën ku ra zjarri. Edhe kundërshtarët politikë janë detyruar të qëndrojnë bashkë gjatë mbrëmjes së djeshme duke pritur të përfundojë me sukses operacioni për shuarjen e zjarrit. Në operacion janë angazhuar Ministria e Brendshme, me forcat e Policisë së Tiranës, pothuajse të të gjitha niveleve, madje edhe drejtues të lartë, forcat speciale RENEA, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Zjarrfikës, Prefektura e Tiranës, Ndërmarrja e Ujësjellësit dhe Bashkia e Tiranës. Puna u koordinuan në një operacion të shpejtë, për të dislokuar mjete dhe forca që zjarri të lokalizohej në vatrën ku lindi. Pothuajse 30 automjete zjarrfikëse dhe autobote të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, u angazhuan në operacionin për shuarjen e zjarrit, gjithashtu edhe automjete të tjera të Pastrim-Gjelbërimit.

Dyshohet shkëndija elektrike
Për të zbuluar shkaqet që sollën zjarrin e fuqishëm që “pushtoi” dje për katër orë magazinën e fishekzjarrëve në tregun ushqimor pranë Qytetit të Nxënësve në Tiranë, janë angazhuar ekspertët e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri të prefekturës dhe të Ministrisë, së bashku me ekspertët e ndërmarrjes së tregut të Njësisë Nr.6. Zëvendësministri i Brendshëm deklaroi dje se të gjithë këta ekspertë kanë marrë porosi të veçanta që të shohin nga afër sipërfaqen e shkrumbuar nga zjarri dhe të zbulojnë shkaqet reale që e shkaktuan. Ndërsa burime nga grupi hetimor thanë se nuk përjashtojnë asnjë mundësi si shkaktare të zjarrit të fuqishëm. Mund të ketë ndodhur nga ndonjë shkëndijë elektrike, nga ndonjë pakujdesi e personave brenda magazinës, por nuk përjashtohet edhe ndonjë zjarrvënie e qëllimshme.

Etleva Delia

© Panorama.al

Te lidhura